AKP-ja dështon sërish t`ia lirojë pronën Komunës së Prishtinës

E publikuar: 15/08/2017 09:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova e Privatizimit së fundmi nuk e ka respektuar as afatin që e ka kërkuar vetë si periudhë të fundit – muajin maj- për ta liruar pronën komunale tek tregu i Gjelbër, pasi që edhe tre muaj pas kësaj kohe ky institucion vazhdon veprimtarinë në po këtë lokacion.

Kjo është hera e gjashtë që AKP-ja nuk ka respektuar afatet kohore për lirimin e pronës komunale, e cila gjendet shumë afër objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës, në të cilin Ekzekutivi ka pasur plane të realizojë projektin “Çarshia e vjetër”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Moslirimi i kësaj prone ka ndikuar edhe në ngecjen e fillimit të procedurave për realizimin e këtij projekti, ndërkohë që pesë herët e para AKP-së i ishte dhënë urdhër nga Komuna që të largohej që aty, ndërsa herën e gjashtë ka qenë vetë institucioni që ka përcaktuar fundin e muajit maj si “deadline” për ta liruar pronën.

Në projektin disa milionësh “Çarshia e vjetër” ka qenë e planifikuar të inkorporohet edhe Tregu i gjelbër i qytetit, në rregullimin e të cilit nuk është investuar prej vitesh.