AKEP: Emigrantët paguajnë 27 herë më shumë për të folur me Shqipërinë sesa tarifat lokale

E publikuar: 30/04/2019 21:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tarifat celulare nga jashtë në drejtim të Shqipërisë janë plot 27 herë më të larta sesa tarifat lokale. Më të prekurit nga këto kosto mjaft të larta janë emigrantët shqiptarë, të cilët për të komunikuar në telefon celular me familjet e tyre duhet ta paguajnë shtrenjtë shërbimin.

Autoriteti i komunikimeve elektronike dhe postare ka analizuar këtë segment të tregut me qëllim rregullimin e tarifave në drejtim të uljes së tyre, ndërkohë që dokumenti është nxjerrë për konsultim.

Pajtim Melani shprehet: “Fakti është që tarifat e terminimit të thirrjeve ndërkombëtare, pra ato që paguajnë kryesisht shtetasit shqiptarë, ata që jetojnë jashtë Shqipërisë apo shtetas të tjerë që kryejnë në rrjetet celulare në Shqipëri janë mesatarisht 27 herë më të larta sesa tarifat që paguajnë për terminimin e thirrjeve celulare brenda vendit.

Rregullimi kryesisht prek personat që kanë thirrje drejt rrjeteve mobile në Shqipëri që kryesisht janë emigrantët shqiptarë në vendet e BE-së, kryesisht Greqia dhe Italia me numrin më të madh, por edhe vende të tjera si Gjermania, Franca, por edhe vende më të largëta”.

Sipas AKEP, kjo e ardhur mund të jetë përdorur si një subvencionim i ndërsjellë në të shkuarën për të subvencionuar dhe për të mbajtur nën kosto paketat e ofrimit të shërbimeve celulare brenda vendit:

“Kjo nuk shkon në drejtim të asaj që ne kemi synim, pra konkurrencës së lirë dhe efektive në treg. Të ardhurat sipas shërbimeve duhet të jenë të ndara dhe të përdoren sipas qëllimit dhe funksionit.

Kjo e ardhur ndahet sigurisht mes operatorëve të rrjeteve celulare në Shqipëri dhe “carrier” ndërkombëtare, atyre që bëjnë marrëveshje për të sjellë thirrjen ndërkombëtare në Shqipëri, por edhe operatorëve të tjerë që janë në Shqipëri, të cilët terminojnë thirrje ndërkombëtare në rrjetet kombëtare”.

AKEP thotë se baza ligjore për të ndërhyrë për rregullimin e këtyre tarifave ekziston dhe mbetet për t’u zgjedhur metodologjia. /Top Channel