Ajetin e presin sfida të mëdha në krye të AKI-së, ish- kryespiunët të sistemohen në pozita të rëndësishme

E publikuar: 17/04/2021 13:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Emërimin e Petrit Ajetit në krye të AKI-së, nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, po e vlerëson vendim të mirë, njohësi i çështjeve të sigurisë Fatmir Çollaku, raporton Ekonomia Online.

Çollaku ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se Ajeti posedon të gjitha komponentat e një lideri të qëndrueshëm.

“Unë po ndjehem shumë i disponuar që edhe parashikimet e mia kanë dalë gjë që është një konfirmim i mirë i profesionalizmit por edhe si njohës i kësaj fushe mendoj që është bërë mirë që në krye të një institucioni kaq të rëndësishëm është emëruar një personalitet i kompletuar i cili i posedon të gjitha komponentat e nevojshme për një lider dhe drejtues të mirë e të qëndrueshëm në kuptimin e cilësisë dhe punës që do ta bëjë.

Natyrisht e presin sfida të mëdha, por që do ja del me punën e tij” është shprehur ai.

Sipas tij të gjithë drejtuesit e këtij institucioni kanë qenë profesionistë, po që Ajeti është më i qëlluari.

“Realisht edhe të tjerët që nga drejtori i parë kanë qenë profesionistë, nuk mund të them se ai më shumë ose më pak, por të gjithë kanë qenë profesionistë dhe rrethanat pastaj diktojnë një ritëm dhe dinamikë duke pasur parasysh faktin që është një institucion i ndjeshëm dhe shumë lehtë mund të atakohet ndaj kërcënimeve eventuale dhe faktorë të tjerë. Nuk mund të jap një mendim se cili më i miri por që padyshim ky është i qëlluari” ka shtuar ai.

Petrit Ajeti është emëruar në krye të AKI-së më 15 prill nga kryeminsitri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani. Pozita e shefit të AKI-së kishte mbetur e zbrazët për një kohë të gjatë.

Çollaku ka thënë se pas përfundimit të mandatit udhëheqësit e AKI-së meritojnë të sistemohen në pozicione tjera të rëndësishme.

“Unë mendoj që duhet bërë ndryshime ligjore shpejtë do të thotë shpejtë për aq sa ka mundësi në kuptimin procedural që të bëhen këto ndryshime me ligj, që të krijohet një hapësirë juridike që drejtorët e AKI-së të kenë një pozicionim dhe sistemim në organet shtetërore dhe pastaj kur u skadon mandati të jenë të sistemuar për faktin që janë personalitet dhe pozita e tyre imponon seriozitet, të tillët do duhej të sistemohen në pozicione të rëndësishme që të kenë të ardhura të garantuara, e të mos mbeten pa mbështetje institucionale për faktin që janë personalitet që kanë informacione” ka përfunduar ai për EO.Pesë zyrtarë që, për kohë të caktuar, kanë qenë në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Ndonëse kanë pasur qasje të pakufizuar në informata të klasifikuara, pas largimit nga detyra, shteti nuk i ka sistemuar dhe as nuk ka mbikëqyrje mbi ta.