Ahmeti iu bën thirrje prindërve të mos i dërgojnë fëmijët në çerdhe pa u sqaruar rregullat

E publikuar: 31/05/2020 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar nga Ministria e Arsimit të sqarojë situatën dhe rregullat për hapjen e çerdheve.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se në konferencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, u përmenden dy data dhe rregullat strikte për hapjen e çerdheve, por se nuk ka informatë zyrtare mbi rregullat.

Ahmeti iu ka bërë thirrje prindërve të mos i dërgojnë fëmijët në çerdhet publike dhe në ato me bazë në komunitet deri sa t’i marrin vendimet nga niveli qendror.

“Prandaj, prindër të nderuar, mos i dërgoni fëmijët në çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet në komunën tonë deri t’i marrim vendimet dhe rregullat nga niveli qendror dhe derisa çerdhet përkatëse ku i keni fëmijët të ju lajmërojnë për funksionimin e plotë. Çerdhet do të rihapen këto ditë, por ka nevojë për më shumë detaje e përgatitje”, ka thënë ai.