Agim Veliu i kundërpërgjigjet Ramush Haradinajt

E publikuar: 21/05/2018 14:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i LDK-së Agim Veliu i është kundërpërgjigjur kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili para dy ditësh tha se LDK po punon kundër procesit të liberalizimit të vizave, raporton zeri.info.

Veliu me këtë rast, ka thënë se një gjë e tillë është krejtësisht e pavërtetë, pasi që siç ai është shprehur, LDK është e interesuar që agjenda evropiane të përmbushet sa më parë.

“Jemi të interesuar ta përmbushim (agjendën), në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm, pa viza edhe pse po shoh që ka akuza në drejtim të LDK-së që kinse po punon kundër kësaj çështjeje, që nuk është e vërtetë. Është totalisht e pavërtetë”, ka deklaruar Veliu për “Zërin”.

Një gjë e tillë siç është shprehur i kryetari i Komunës së Podujevës është vetëm një përpjekje për ta orientuar gabimisht vëmendjen e opinionit publik.

“Është një përpjekje për ta orientuar mendjen dikah tjetër, jo kah angazhimet dhe obligimet që i ka qeveria për t’i përmbushur”, ka theksuar ai.

Duke folur rreth kësaj çështjeje, i dyti i LDK-së ka thënë se ky subjekt në vazhdimësi ka dhënë mbështetjen për zgjidhjen e çështjeve nacionale.

Megjithatë, kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, para pak ditësh akuzoi pikërisht LDK-në për çështjen e vizave.

“Nganjëherë e kam përshtypjen që pas takimeve me zyrtarët e PPE-së nuk janë ndarë të bindur që e meritojmë liberalizimin. E kam një frikë që një pjesë e opozitës është kah vepron kundër liberalizimit të vizave. Nuk është mirë. Pikërisht mendoj te LDK-ja. I lus mos të bëjnë këso gabimesh’, potencoi Haradinaj. /Zeri