Afro 1 mijë afganë të strehuar në Kosovë

E publikuar: 13/09/2021 15:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në Kosovë, deri të hënën në mesditë, kanë arritur 971 refugjatë afganë.Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Jeta Tela, shefe e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Bëhet e ditur se 810 refugjatë janë vendosur në kampin Bechtel-Eenka në Ferizaj, kurse 161 në kampin Bondsteel, po ashtu në Ferizaj. Shtetasit afganë do të qëndrojnë në Kosovë derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet tjetër anëtar të NATO-s.

Ata kanë ikur nga Afganistani pasi ky vend ka rënë nën kontrollin e militantëve talibanë, më 15 gusht. Shumica e tyre kanë punuar në cilësi të ndryshme për ushtrinë amerikane dhe forcat e tjera aleate të NATO-s dhe tani kërcënohen nga talibanët.

Forcat ndërkombëtare, që kanë operuar në Afganistan në 20 vjetët e fundit, janë tërhequr nga ky vend në fund të gushtit. Kosova pritet të strehojë gjithsej rreth 2,000 shtetas afganë.