Afaristët kërkojnë që ndihma nga shteti të mos vonohet

E publikuar: 24/04/2021 16:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në kohë të vështira, nevojitet reagimi i shpejtë për t’i sanuar dëmet e shaktuara nga kriza, në të kundërtën do të thellohet në masë të parikuperueshme hendeku i zhvillimit negativ në sektorin privat, që paraqet boshtin kryesor të zhvillimit ekonomik, thonë nga odat ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Afaristët, thonë se për të qenë rikuperimi ekonomik më i qëndrueshëm në periudhë afatmesme, autoritetet e vendit duhet të punojnë në drejtim që ekonomia të bëhet më rezistente ndaj goditjeve që ka shkaktuar kriza e pandemisë.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, e cila përfaqëson mbi 2,000 biznese, thonë se miratimi me vonesë i masave anti-krizë në parlament, në masë të theksuar ka pamundësuar reflektimin e efekteve pozitive përmes këtyre mjeteve. Nga kjo odë, nënvizojnë se autoritetet e vendit duhet menjëherë të fokusohen në pakon e gjashtë të ndihmave, e cila duhet të strukturohet në atë mënyrë që ndihma të arrijë sa më shpejt, veçanërisht tek ata sektorë, të cilët kanë pësuar dëme më të mëdha, përkatësisht ata sektorë që e kanë të bllokuar plotësisht aktivitetin e tyre.

Durim Zeqiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se përderisa procesi i imunizimit realizohet me një dinamikë tejet të ngadaltë, vështirë se mund të flitet për rikuperim të bizneseve.

“Sa i përket pakos së gjashtë të ndihmave, për të vënë në kontroll dëmet që ka shkaktuar pandemia, ne si odë, mbrojmë qëndrimin se pakoja e ndihmave duhet të jetë më gjithëpërfshirëse, sidomos në sektorin e gastronomisë, pasi duhen eliminuar më shumë kritere që pamundësojnë shumë sektorë dhe veprimtari të ndryshme të aplikojnë për marrjen e ndihmave nga pakot e masave anti-krizë. Gjithashtu, vlerësojmë se edhe sasia e vlerës së ndihmave të parapara për injektim për këtë sektor, deri më tani është shumë e ulët, pasi ky sektor mbetet më i dëmtuari, meqë që nga fillimi i pandemisë ka qenë i mbyllur”, thotë Zeqiri.

Ndërkaq, Kirço Ivanov, pronar i një kompanie të tekstilit, që ka 120 punëtorë, thotë se përderisa kërkesat nga vendet e Evropës me të cilat bashkëpunojnë, mbeten në një nivel shumë të ulët, për shkak të mbylljes së qendrave tregtare, nuk mund të shihet dritë në fund të tunelit, për përmirësimin e gjendjes në industrinë e tekstilit, industri kjo që përfshin mbi 30,000 të punësuar.

Ivanov thotë se tani mbetet i fokusuar në ruajtjen e vendeve të punës, gjë që pa ndihmat e shtetit mbetet një mison vështirë i realizueshëm.

”Nëse nuk kemi ndihma nga shteti, nuk na mbetet asnjë rrugëdalje. Të punësuarit në kompaninë e tekstilit, kryesisht janë gra të cilat edhe pak vite duhet të dalin në pension, kështu që e kanë shumë të vështirë të gjejnë një punë tjetër. Për këtë arsye bëjmë të pamundurën që të ruajmë vendet e punës”, thotë Ivanov.

“Por, pa ndihmën e shtetit do të jetë shumë e vështirë të sigurojmë rroga për muajt prill, maj e tutje. Andaj, kësaj radhe, përfundimisht nuk guxon të ketë shtyrje në palament, por këto masa duhet të aplikohen më së voni në gjysmën e parë të majit. Me mjetet që siguruam nga pakoja e pestë, arrita të paguaj punëtorët vetëm për muajin shkurt, përderisa për pagesën e muajit mars, mora kredi për të paguar punëtorët. E theksoj se nëse shteti nuk vepron me shpejtësi për të miratuar pakon e gjashtë të masave anti-krizë, unë rrugëdalje tjetër nuk shoh”, shton ai.

Ndërkaq, Marija Zarezankova-Petkovska, ligjëruese në Fakultetin e Ekonomisë në Shkup, si shumë problematike për sa i përket rimëkëmbjes së ekonomisë, e sheh faktin se gjatë krizës së pandemisë, edhe më shumë është thelluar hendeku për sa i takon importit të mallrave kundrejt eksportit që realizon Maqedonia e Veriut.

“Duhet të miratohen masa të duhura në momentin e duhur. Nëse prishet ky ekuacion, çdo ndihmë nuk do të ketë efektin e duhur”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Marija Zarezankova-Petkovska.

Ndryshe, gjatë fundjavës së kaluar, parlamenti miratoi pakon e pestë të masave anti-krizë, me të cilat mjete do të ndihmohen rreth 20,000 kompani dhe 150,000 qytetarë, që realizojnë veprimtari të pavarura, të cilat janë goditur nga kriza e pandemisë.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, menjëherë pas kësaj, ka prezantuar pakon e gjashtë të masave anti-krizë, në vlerë prej 17.8 milionë euro, për mbështetje të veprimtarive të cilat u mbyllën tërësisht, që të parandalojnë përhapjen e koronavirusit gjatë muajit prill 2021, si dhe për përmirësimin e likuiditetit të kompanive të cilat investojnë gjatë vitit 2021.