Abrahams: Marrëveshja pa drejtësi për krimet e luftës vendos themelin për konflikt të ri politik

E publikuar: 26/05/2020 21:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fred Abrahams, hulumtues i organizatës “Human Rights Watch”, ka thënë se pa gjetur drejtësinë për krimet e luftës, një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë do të ishte vendosje e themelit për konflikt të ri politik.

Në një intervistë për Deskun e KOHËS, Abrahams ka thënë se një marrëveshje politike pa u vënë drejtësia do të ishte e paqëndrueshme.

“Janë dy shprehje që për mua tani përcaktojnë kohën e tanishme: personat e pagjetur dhe drejtësia e munguar. Dhe të dy shprehjet janë të mirëqena. Ne e dimë se ka shifra të larta të personave pagjetur, besoj se rreth 1.600 persona, ose më shumë, sepse një pjesë e atyre personave u zhdukën pas konfliktit, por ka edhe drejtësi të munguar. Ju e dini se Tribunali ishte krijuar për të shënjestruar zyrtarët më të lartë dhe e ka bërë atë, e ka bërë me lëshime, por e ka bërë. Por, asnjëherë nuk synoni si mekanizëm drejtësie të adresonte spektrin e gjerë, përmasat e krimeve që ishin kryer në krejt rajonin nga të gjitha palët e konfliktit. Dhe kjo bie në përgjegjësi të gjykatave lokale, në përgjegjësi të mekanizmave të brendshëm të drejtësisë, dhe qartazi se ato kanë ngecur tepër tepër shumë në këtë drejtim”, ka thënë Abrahams.

Sipas Abrahamsit, është skandaloze fakti që në tavolinën e ndërmjetësimeve ndërkombëtare nuk është përmendur asnjëherë çështja e zhvendosjes së qindra trupave nga Kosova për në Serbi.

“Çfarë dëshmie më të jashtëzakonshme të një krimi mund të keni se zhvendosja e trupave. Kështu që këto çështje nuk kanë zënë rol dominues në përpjekjet për ndërmjetësim. Ne kemi folur për këtë, po vazhdojmë të flasim me Bashkimin Evropian, sikurse edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse me administratën e tanishme kemi më pak kontakt, shumë pak kontakte, me administratën e Trumpit. Kjo është tjetër temë e ndonjë interviste tjetër, por ne i ngremë me ta llogaridhënien e krimeve të luftës, drejtësinë transicionale. Drejtësia transicionale duhet të jetë në thelb të ndërmjetësimit dhe të marrëveshjeve politike që do të arrihen, sepse t’u thuash njerëzve të ecim para dhe t’ua kthejmë shpinën disa ngjarjeve dramatike, mendoj se kjo është diçka e gabueshme. Mendoj se kjo është diçka që ka prekur çdo familje në rajon dhe nëse nuk e adresoni, ju po vini themelet e marrëveshjeve politike të paqëndrueshme që po shtyhen para, po vini themelin për një konflikt të ri politik. Kjo nuk është një dëshirë filozofike. Ky është një dizajnim pragmatik politik për të përfshirë llogaridhënien në mekanizmat politikë që duhet të shtyhen përpara”, ka shtuar ai.

Abrahams ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë institucione demokratike në vend. Sipas tij, për të bërë presion ndaj Serbisë qytetarët duhet kërkuar llogari nga liderët kosovarë dhe duke punuar dhe kërkuar llogari për korrupsionin e duke kërkuar që liderët të përfaqësojnë dëshirat e popullit e jo të tyret.

“Nëse kjo jetësohet, atëherë do të ketë një shteg më të qartë për angazhim më të sinqertë me palët e tjera”, ka thënë ai duke shtuar se duhet të ketë angazhim edhe në aspektin ndërkombëtar. “BE-ja ose SHBA-ja duhet të përfshijë drejtësinë në llogaridhënie në tavolinën e negociatave si pjesë e ndërmjetësimit për ripajtim, sikurse thashë më parë; t’u bëhet presion për ta bërë një gjë të tillë. Shiko, këto nuk janë thjesht ngjarje të papërshtatshme: ah, po, kishte një luftë dhe humbëm mijëra jetë njerëzish, 1.600 qytetarë ende janë të pagjetur. Le të gjejmë shtegdalje për të vazhduar bashkë. Kështu nuk do të funksionojë, nuk do të funksionojë. Kështu të vazhdohet të rrihet kjo pikë është qasje qenësore dhe pragmatike për të çarë përpara dhe kjo do të promovojë marrëdhënie më të harmonizuara”.