Abdixhiku për 100 ditëshin e Kurtit: Kushërinjtë për dasma, u bënë profesionistët më të zot

E publikuar: 29/06/2021 21:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku është deklaruar lidhur me 100 ditëshin e Qeverisë Kurti II. Abdixhiku tha se ky 100 ditësh i Qeverisë që s’është, s’shihet e s’bën.

Lumri Abdihxiku deklaroi se kjo qeveri ka mbushur 100 ditë, pa ndonjë rezultat e pa ndonjë shenjë që mbahet në mend.

Madje ai ka kujtuar edhe një deklaratë të bërë nga kryeministri Albin Kurti dikur e ku fliste për punësimet e familjarëve.

“Kushërinjtë për dasma”, Abdixhiku thotë se u bënë profesionistë ndër më të zot, transmeton lajmi.net.
“Siç kanë qeverisur komunat, po qeverisin edhe Qeverinë. Në tetor do t’i japim përgjigjen e parë kësaj paaftësie të dyfishtë”, shtoi ai.

Postimi i plotë:

100 ditëshi i Qeverisë që s’është, s’shihet, s’bën!
Qeveria Kurti po i mbushë 100 ditë, pa ndonjë rezultat e pa ndonjë shenjë që mbahet në mend. Fjalë plot, foto përplot, vepra askund – ky duhet të jetë një nga fillimet më dëshpëruese që Kosova ka pasur ndonjëherë.
Pritjet e mëdha për ndryshim u ballafaquan vërtetë me ndryshim – jo të problemeve të thella të vendit tonë, por të atyre që mbajnë karrige tjera sot. Mjaftuan 100 ditë për t’i parë se nuk dallojnë! Në pushtet, aktakuzat e pushtetarëve u bënë të parëndësishme më. Paradite në gjykatore, pasdite në Kuvend e Qeveri – në ligjerim për shtetin e fortë e shtetin e drejtë për të gjithë.
‘Kushërinjtë për dasma’, ndërsa, u bënë profesionistë ndër më të zot. Bordet e Postës, të Telekomit e të UjësjellësIt i mbushën të parat me të afërmit e vet. Të tjera ndërmarrje presin fatin e njejtë. Votat qytetarëve, bordet familjarëve – kjo është parulla e re. Pronto 2 në reprizë. Kapja vazhdon veç kapësit ndryshojnë!
Për 100 ditë Zajednica u bë Asociacion, e Bashkimi Kombëtar i pamundshëm më. Dialogut ju hoq kërkimfalja, negociatave vetëvendosja, e reciprocitetit e drejta universale – reciprociteti tani thanë s’është zgjidhja më e mirë më. ‘S’ka rrymë më për veriorë’ u bë edhe 11 milionë; polisa kufitre ndërroj paguesin por pagesën jo; barazia sociale u bë rikthim pensionesh në lëmoshë; e paga minimale u minimalizua tërësisht. Rimëkëmbja u bë mbyllje; mbyllja zgjedhje në Lezhë; kaos pritjeje këtu, protesta ambientale atje. Në letër vaksina përplot, por vaksina ende asnjë. Të fundit në Evropë; dhjetë herë më pak se secili vend në rajon. Po e arrijmë imunitetin kolektiv para vaksionimit masiv; dhe kësaj i kanë vënë emrin sukses.
Derisa Kryeministri është në dëlir prej pushteti e në transformim prej pushtetari, Ministrat e tij si gjënë askund; si sheh askund. Një armatë badihavgjinjësh në këto 100 ditë. Ata pak që shihen, prodhojnë një skandal a dy – përplasësh brenda, gaz i botës jashtë. Për arsyetim për çdo dështim gjithsesi mbajnë 20 vitet e shkuara – harrojnë se janë zgjedhur për vitet përpara. E shkuara ka marrë fund; e ardhmja s’po nisë dot.
E derisa ne vendnumërojmë me simbolikë e nisma letrash, ligje koti, e rikapje bordesh; vendet e rajonit po projektojnë porte e aeroporte, linja gazi e projekte infrastrukturore, spitale, stadiume e shkolla – mbajnë ide të mëdha sepse ëndërrojnë shumë. Qeverisë sonë i mungon edhe ëndrra edhe ideja. I kanë krejt por krejt çka japin është nga një ankim për secilin dështim.
Kuptimi i paaftësisë qeverisëse mund dhe të merr kohë, por do të ndodhë. Fryma do të bjerë sepse e thata s’qëndron gjatë dot. Popullizmi këtë ka. Flet po s’jep. Zhurmon por s’zhvillon. Ndalë por s’nisë. Ankon! Prandaj si i tillë merr fund shpejtë. Fundi i tij nisë në zgjedhjet lokale të tetorit. Ne kemi dëgjuar. Ju kemi dëgjuar mirë. Të pagabueshëm s’jemi por po përpiqemi. Prandaj dhe po ngrihemi; fort e në hapa të sigurt. Këta që i morrën krejt as s’ju shohin as s’ju dëgjojnë më; kanë familjarët e tyre për këtë. S’bëjnë sepse s’dijnë. Siç kanë qeverisur komunat, po qeverisin edhe Qeverinë. Në tetor do t’i japim përgjigjen e parë kësaj paaftësie të dyfishtë.