Abdixhiku: ​Biden kërkon heqjen e taksës së naftës në SHBA, Kurti refuzon ta heq në Kosovë

E publikuar: 23/06/2022 11:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për mos heqjen e taksës për naftë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se presidenti i SHBA-së, i ekonomisë më të fuqishme në botë, Joe Biden, i ka nisur të mërkurën Kongresit Amerikan propozimin për heqjen e taksës në naftë për tre muajt e ardhshëm, si masë e domosdoshme e stabilizimit të çmimeve të gjithmbarshme.

Por, sipas tij, kryeministri i ekonomisë më të varfër në Evropë, Kurti, vazhdon të refuzojë propozimin tonë të 7 marsit për masë krejtësisht të ngjashme, reduktimin e akcizës dhe TVSH për tre muajt e ardhshëm.

“Kokëfortësia, paranoja e refuzimi i propozuesit e jo propozimit s’janë zgjidhje në politikë. Kosova ka nevojë për lidership në momente krize; jo teke të tilla. Mund të vonoheni, të bëni dëme edhe më shumë, por zgjidhje tjetër – përveç propozimit të LDK-së – s’keni si zëvendësim”, ka shkruar ai.Abdixhiku ka thënë se qeveritë e Gjermanisë, Anglisë, Italisë, Holandës, Belgjikës, Suedisë, Polonisë, Portugalisë, Irlandës, Hungarisë, Kroacisë e Sllovenisë – tashmë kanë reduktuar akcizën dhe TVSH-në në naftë e derivate.

Ai ka thënë se këtë të hënë, në debatin parlamentar të kërkuar nga LDK-ja, është koha që edhe Kosova me qytetarë me standard shumëfish më të ulët për krahasim të rreshtohet prapa një politike të tillë.