Abbott: Miqësia e Mbretit Charles me Kosovën do t’i përforcojë marrëdhëniet tona në të ardhmen

E publikuar: 19/09/2022 18:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott, ka falënderuar të gjithë për ngushëllimet që kanë dërguar me rastin e vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II.

Abbott foli edhe për marrëdhëniet e mbretit të ri, Charles III, me Kosovën. Ai tha se miqësia e tij për Kosovën do t’i përforcojë marrëdhëniet e dy shteteve në të ardhmen.

“Në të njëjtën kohë kur jemi të pikëlluar për humbjen e saj, unë jam i goditur nga thellësia e ndjenjës për Familjen Mbretërore Britanike dhe angazhimi i tyre i vazhdueshëm ndaj Mbretërisë së Bashkuar. Mbreti Charles e ka vizituar Kosovën disa herë dhe e di se miqësia e tij për Kosovën do të përforcojë marrëdhëniet tona në të ardhmen. Zoti e ruaj mbretin”, ka thënë Abbott.

Ai tha se monarkja jetoi e mbretëroi me dinjitet e përkushtim maksimal.

“Doja të përfitoja nga rasti për t’ju falënderuar të gjithëve për mesazhet e sinqerta të ngushëllimit që kemi marrë që nga vdekja e Madhërisë së Saj Mbretëreshës më 8 shtator. Shumica prej nesh nuk kanë njohur kurrë një monark tjetër britanik në fron. Mbretërimi i saj prej mbi shtatëdhjetë vjetësh është më i gjati i regjistruar nga çdo monark britanik. Ajo është pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive. Ajo ka qenë shkëmbi mbi të cilin është ndërtuar kombi ynë modern. Mbretëresha Elizabeth jetoi dhe mbretëroi me dinjitet, dhembshuri dhe përkushtim maksimal në shërbim të popullit të saj”, ka shtuar Abbott.