Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi kanë mbajtur një konferencë të përbashkët ku kanë bërë të ditur se Abazi i është bashkuar listës së AAK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj po ashtu foli për rëndësinë e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe anëtarësimin e vendit në NATO, duke shtuar se ky është hap i domosdoshëm për forcimin e sigurisë dhe zhvillimit të Kosovës.
“Të gjithë ne duhet ta bëjmë pjesën tonë të çmuar që Kosova të tejkaloi sfidat dhe të kthehet në familjen e vet euroatlantike,” tha Haradinaj, duke i uruar mirëseardhjen Haki Abazit në AAK dhe listën e deputetëve për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Kolegu Haki Abazi i takon këtyre njerëzve, në shumë etapa të rrugëtimit tonë e ka bërë pjesën e vet të çmuar. Ishte aktiv në çështje dhe procese të rëndësishme për vendin. Përvoja ime e bashkëpunimit me të në parlament ka qenë e mirë”, tha Haradinaj.
Ndërsa, tashmë zyrtarisht deputeti i AAK-së, Haki Abazi theksoi se AAK ka një vizion dhe plan të qartë për arritjen e këtij objektivi.
“Integrimi në NATO është prioriteti mbi prioritetet e Kosovës,” tha Abazi, duke shtuar se kthimi te demokracia është gjithashtu një element kyç për stabilitetin e vendit.
“Dua ta falënderoj këtë shtëpi të madhe që idenë e Skënderbeut me i ba thuprat bashkë për mos me u thy në këto situata shumë delikate të sigurisë në Ballkan, e kam gjetur vetëm të AAK-ja. Unë kam vendosur që të jem krahu i Haradinajt dhe miqve që janë këtu në këtë subjekt”, përfundoi Abazi.


















