AAK: S’kemi vija të kuqe për asnjë parti

E publikuar: 31/12/2020 10:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen këtë fillim vit do të garojë e vetme. Selim Selimi nga kjo parti thotë se për koalicione do të mendojnë vetëm pas zgjedhjeve, derisa është shprehur i bindur se AAK-ja do të dal fituese në këto zgjedhje.

Duke qenë se kanë marr vendim që në zgjedhje të garojnë të vetëm, Selimi i AAK-së thotë se nuk kanë vija të kuqe për asnjë nga partitë politike për koalicione pas zgjedhore.

“Për parazgjedhor do të garojmë të vetëm, për pas zgjedhor mendojmë që vija të kuqe nuk ka, nuk ka vija të kuqe jo si lloj nënshtrimi por nuk ka vija të kuqe sepse mendojmë që secila parti ashtu siç radhitet nga vota e sovranit na kemi hapësirë për të bashkëpunuar. Aleanca ka bashkëpunuar edhe në opozitë me partitë politike edhe në pozitë me parti të ndryshme politike, andaj e kemi pa që vizioni ynë që është i qendrës së djathtë mund në një koalicion të mundshëm të cilin me shpresë që ne do t’i fitojmë zgjedhjet një koalicion të mundshëm me ndonjërën prej partive për ta gjetur një harmoni të qeverisjes së përbashkët. Do të thotë, ne kemi përvojë të qeverisjes me partitë, kemi përvojë edhe të opozitarizmit me partitë e tjera, andaj e dimë ato përparësitë dhe mangësitë e koalicioneve të mundshme pas zgjedhore”, thotë ai.

Selimi është shprehur i bindur se partia pjesë e të cilës është do të dalë fituese në këto zgjedhje të parakohshme, për shkak të, siç thotë ai, punëve që kanë bërë.

“Ne kemi pritje për t’i fituar zgjedhjet, se po hyjmë t’i fitojmë zgjedhjet. Unë e di që mund të tingëllojë nganjëherë secila parti që thotë jo reale sepse pa u mbajte zgjedhjet nuk e dinë kush fiton, por ne po hyjmë me vullnetin për t’i fituar zgjedhjet. Ne e kemi përqindjen tradicionale që Aleanca e merr në zgjedhje, por këtë herë mendojmë që kemi shanse jashtëzakonisht të mira që të pozicionohemi shumë më mirë në këto zgjedhje, për shkak që kemi bërë punë edhe gjatë punës së kryeministrit Haradinaj, po edhe në këtë qeveri”, thotë Selimi.

Derisa do të pritet publikimi i plotë i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për t’u shpallur zgjedhjet e parakohshme, Selimi thotë se tashmë kanë filluar mobilizimin e degëve dhe të nëndegëve në të gjithë Kosovën.

“Çdo parti politike e dinë që zgjedhjet janë të pashmangshme, çdo parti politike e dinë që zgjedhjet munden me ndodh edhe para kohe. AAK është gati, ka qenë gati, ne pas zgjedhjeve te tetorit kemi qenë në opozitë andaj kemi qenë gati që të shkojmë menjëherë në zgjedhje, për shkak që nuk jemi pajtuar me pushtetin e kaluar. Ne jemi të gatshëm dhe kemi një mobilizim në nivel të Kosovës, nëpër komuna, nëpër degë e nëndegë. Tashmë kemi filluar komunikimin e rregullt me kryetarët e degëve, me kryetarët e nëndegëve, kryetarët e komunave ku ne qeverisim po edhe me nivelin qendror. Ne jemi të gatshëm dhe e kemi një vullnet se këto zgjedhje do të dalim shumë mirë, për shkak që kemi çka të prezantojmë, do të thotë kemi punë me të cilat ne do të mundohemi t’i bindim votuesit që për shkak të votës së tyre neve na është dhënë mundësia të përmirësojmë ‘x’ apo ‘y’ në Republikën e Kosovës. Ne qëndrojmë mirë siç duket në terren”, thotë ai.

Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor vendosi që qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti është zgjedhur në mënyrë jokushtetuese dhe kërkoi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme./M.Duraku/