AAK: Në demokraci vendosin qytetarët, jo tavolinat politike të KQZ-së e Gjykatave

E publikuar: 18/12/2017 18:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i vlerëson tejet qesharake dhe të papranueshme veprimet e sotme të ndërrimit të rezultateve të zgjedhjeve në Komunën e Istogut nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor, siç thotë kjo parti, sipas dëshirave politike.

Për AAK-në, fitues i zgjedhjeve në Istog është Gani Dreshaj, i konfirmuar dy herë me votë të qytetarëve por i rrëzuar në tavolinat politike të KQZ-së dhe Gjykatave.

“Në demokraci, vendimmarrës janë qytetarët e jo veprimet e pamatura, jo serioze, e politike që shkaktojnë zemërim tek qytetarët. Në funksion të realizimit të vullnetit të qytetarëve të Istogut, AAK do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore duke kërkuar rinumërim të të gjitha kutive të votimeve në komunën e Istogut dhe të vendosë vullnetin e qytetarëve në vend”, thuhet në një deklaratë të AAK-së.

Në këtë komunikatë AAK thotë se dëshiron të “rikujtojë për të gjithë akterët e tavolinave politike se Istogu, nuk i takon me ’tapi’ asnjë grupacioni politik, por qytetarëve të Istogut të cilët dy herë konfirmuan vullnetin e tyre për Gani Dreshaj si kryetar komune, dhe Aleanca do të kujdeset që ky vullnet të vihet në vend”.

“AAK, edhe njëherë falënderon qytetarët e Istogut për përkrahjen dhe seriozitetin e treguar përgjatë gjithë procesit të stërzgjatur zgjedhor në Istog”.