AAK kërkon lirimin e Haradinajt, e quan drejtësinë franceze `politike`

E publikuar: 05/04/2017 11:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësja e Gjykatës së Apelit në Colmar të Francës, Sandra di Rosa ka deklaruar për një medium serb se mund të shtyhet vendimi për rastin e Ramush Haradinajt, i cili do të dalë nesër para gjykatës.

Këtë, Ahmet Isufi, nënkryetar i AAK-së e ka quajtur motiv politik të drejtësisë franceze. Ai në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se Haradinaj duhet të lirohet e të kthehet në Kosovë, pasi ai tashmë është shpallur i pafajshëm në dy raste nga Gjykata e Hagës.

“Konsideorjmë se edhe shtyrja deri më tani është pakuptimtë nga ana e drejtësisë franceze sepse ka të bëjë me të njëjtat akuza që i kanë hedhë poshtë Gjykata e Hagës në dy raste ku zoti Haradinaj është shpallë i pafajshëm. E konsiderojmë si motiv politik të drejtësisë franceze në këtë rast dhe normalisht që insistimet e tilla kanë bë që procesi të prolongohet. Mendojmë se ai duhet të lirohet sa më shpejtë dhe të kthehet në Kosovë”, ka thënë ai.

Tutje, Isufi është shprehur se AAK-ja do të bëjë presion edhe te udhëheqja shtetërore e Kosovës, të cilët sipas tij kanë bërë shumë pak në rastin e Haradinajt.

“Ne kemi bërë protesta me rastin e ndalimit të Haradinajt edhe në Kosovë edhe në Francë, do t`i vazhdojmë përpjekjet tona që zoti Haradinaj sa më shpejtë të kthehet në Kosovë, sepse s`ka asnjë kuptim që ai të mbahet më tutje atje.

Nuk do ta ndalim as presionin ndaj përfaqësuesve të shtetit të Kosovës të cilët në këtë rast janë treguar shumë të dobët dhe nuk kanë reaguar ashtu si duhet”, ka shtuar ai.
Isufi e ka quajtur të pakuptimtë angazhimin e udhëheqjes kosovare për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, deri sa kjo e fundit vazhdon ta dëmtojë Kosovën.

“Serbia përmes politikës së saj të pandryshuar, sepse kemi të bëjmë me personalitete të udhëheqjes serbe të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të Milloshëviqit dhe me logjikën e tillë po vazhdojnë më tutje. Por është e pakuptimtë politika e Kosovës që po vazhdon me angazhimet e saj gjoja për normalizimin e marrëdhënieve, e në të njëjtën kohë Serbia nuk po heqë dorë duke e dëmtuar Kosovës, sikurse në rastin Haradinaj”, është shprehur ai./Indeksonline/