A mund t’i hiqen vizat Kosovës gjatë Presidencës çeke të BE-së? Flet ambasadori Bilek

E publikuar: 16/07/2022 11:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Share:

Ambasadori i Republikës së Çekisë në Kosovë, Pavel Bílek, ka folur për prioritetet e shtetit të tij gjatë kryesimit të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Bilek ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën është në agjendën kryesore të Presidencës çeke.

“Jemi të gatshëm që të nisim debat në të gjitha organizmat punues të Këshillit të BE-së. Megjithatë, dua që të ju rikujtoj, se vendimi për këtë është në dorën e vendeve anëtare. Por ende e shoh një rol të rëndësishëm për liderët e Kosovës. Ata duhet të vazhdojnë të bisedojnë me vendet anëtare në lidhje me dyshimet e tyre dhe të sjellin argumente konkrete në mënyrë që t’i bindin ata”, tha ai.

Sipas tij, Presidenca çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian po fillon në një moment shumë të vështirë kur e gjithë Evropa po përballet me pasojat e agresionit brutal rus në Ukrainë.

“Marrja me këto punë komplekse, sigurisht se nuk do të thotë se ne po e harrojmë Ballkanin Perëndimor. Ky rajon natyrisht se është prioritet i Presidencës Çeke për marrëdhëniet me jashtë. Presidenca do të mbështesë edhe më tej procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ne do ta bëjmë më të mirën tonë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore.

Do t’i kushtojmë vëmendje më të veçantë situatës në Bosnje dhe normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Presidenca nuk është direkt e përfshirë në dialog, vendet anëtare të BE-së kanë për detyrë lehtësimin e dialogut në mes të dy vendeve, ndërsa Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajčák gëzon mbështetjen e tyre të plotë. Megjithatë ne po ndjekim për së afërmi zhvillimin e dialogut. Është e vërtetë se si Kosova, po ashtu edhe Serbia do të duhet që të bëjnë më shumë për përparimin e mëtejmë të dialogut. Suksesi i dialogut do të jetë vendimtar për rrugën evropiane të të dyjave vendeve”, u shpreh Bilek për Telegrafin.

Ndërkaq, a mund të ketë lëvizje pozitive për liberalizimin e vizave gjatë Presidencës çeke të Bashkimit Evropian, ambasadori tha “Ne vërtetë shpresojmë për përparim të mëtejmë të këtij procesi. Liberalizimi i vizave për Kosovën është në agjendën kryesore të Presidencës Çeke dhe jemi të gatshëm që të nisim debat në të gjitha organizmat punues të Këshillit të BE-së.

Megjithatë, dua që të ju rikujtoj, se vendimi për këtë është në dorën e vendeve anëtare. Por ende e shoh një rol të rëndësishëm për liderët e Kosovës. Ata duhet të vazhdojnë të bisedojnë me vendet anëtare në lidhje me dyshimet e tyre dhe të sjellin argumente konkrete në mënyrë që t’i bindin ata”, ka thënë Bilek.

Bilek më tej theksoi se Çekia mbështet Kosovën që prej fillimit të viteve të 90-ta dhe se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ishte një nga donatorët ndërkombëtarë që ndihmonin Kosovën në pothuajse të gjitha fushat e jetës nëpërmjet bashkëpunimeve dypalëshe dhe shumëpalëshe.

“Çekia së bashku me partnerët e saj ka marrë pjesë në zhvillimin kosovar të sistemit të drejtësisë, infrastrukturës, edukimit, kulturës, institucioneve sociale… dhe ne vazhdojmë që të ndihmojmë nëpërmjet programeve të ndryshme të BE-së, agjencive të OKB-së, OSBE-së dhe bashkëpunimeve të drejtpërdrejta dypalëshe.

Çekia është mbështetëse e Kosovës në aspiratat e tyre euroatlantike, e cila reflekton dëshirat për të ardhmen e kosovarëve.

Për të arritur këtë qëllim, Kosova ende duhet që të vazhdojë forcimin e sundimit të ligjit dhe të institucioneve të tyre demokratike. Çekia po ndihmon Kosovën në ndërtimin e një vendi modern evropian. Duke ndihmuar në këtë drejtim, Çekia për disa vite me radhë në mënyrë aktive po ndihmon dhe mbështet Kosovën drejt këtyre qëllimeve duke zbatuar shumë projekte zhvillimore dhe të bashkëpunimit në tranzicion. Gjithashtu mos të harrojmë edhe ndihmën e Çekisë gjatë pandemisë COVID-19”, u shpreh ambasadori.

Ai tha se në lidhje me ekonominë tha se është i kënaqur me rritjen e vazhdueshme të shkëmbimeve tregtare.

“Mund të shihni shumë vetura të prodhimit çek në rrugët e Kosovës, banorët e Prishtinës po përjetojnë standarde më të larta të udhëtimit me autobusë modernë të prodhuara në Çeki, dhe kosovarët në shumë qytete dhe vende përdorin ujë të pastër duke ju falënderuar teknologjive çeke të trajtimit të ujërave të zeza. Veçanërisht jemi krenar edhe me suksesin e Gjirafës, kompani kjo e cila kishte filluar veprimtarinë me investimet çeke”, tha ai.