A mund të prekemi dy herë nga koronavirusi? Flet Lul Raka

E publikuar: 04/07/2020 10:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Petrit Bylykbashit nga Prishtina, i është rikthyer koronavirusi. Ndonëse ishte shëruar para tre muajsh, pas paraqitjes së simptomeve është testuar sërish dhe ka rezultuar pozitiv. Pas këtij rasti, ka reaguar mikrobiologu Lul Raka, i cili ka supozimet kryesore të rikthimit të virusit.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Raka ka thënë se një shkak i mundshëm janë gabimet në laborator.

“Një shkak i mundshëm janë gabimet humane në laborator. Strishot e nazofaringut apo të grykës që përdoren për diagnozë, mund të sjellin sasi të ndryshme të virusit, varësisht se ku bëhet mostrimi dhe si bëhet ai. Gabimet laboratorike përcillen me rezultate të rrejshme pozitive ose negative”, ka shkruar Raka.

Sipas Rakës, për të dëshmuar vërtetë reinfektimin dhe për ta dalluar nga nxjerrja afatgjate e virusit që vazhdon nga infeksioni i parë, duhet të bëhet sekuencionimi i të dy mostrave të pacientit.

“Përmes kësaj metode mund të dëshmohet se a janë gjenetikisht të ndryshëm të dy viruset tek i njejti pacient. Po ashtu, duhet përcjellë edhe simptomat dhe kohëzgjatjen e reinfeksionit. Gripi dhe infeksioni me virusin respirator sincicial (VRS), janë dy sëmundje që mund të përsëriten. Madje, VRS mund të ndodh disa herë brenda një sezoni të dimrit”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, supozimi i tretë është rezervuari në trupin e njeriut.

“Sipas këtij opcioni, virusi asnjëherë nuk është larguar nga trupi dhe kjo është vazhdimësi e tij. Pacienti ka nxjerrje të prolonguar sporadike të ARN-së virale. P.sh. në feces, virusi është gjetur 33 ditë pas infeksionit, por nuk është gjetur gjatë kësaj kohe në traktin respirator”, thuhet në postimin e tij.