A do të votonte LDK për Osmanin presidente? – Quni: Ka një hidhërim të madh ndaj saj

E publikuar: 30/01/2021 00:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për deputet nga LDK-ja, Anton Quni, ka thënë se partia e tij do të mund të votonte një figurë unifikuese për president dhe që s’anon politikisht.

Por, mundësia që LDK të japë votat për Vjosa Osmanin është shumë e vogël, sipas Qunit, njofton Klan Kosova.

“Osmani ka qenë një ndër figurat më të preferuara të LDK-së, por tani ka një hidhërim shumë të madh. Nuk besoj që mund të krijohet ajo frymë që votuesit e LDK-së që në zgjedhjet e kaluara ishin aq entuziastë për ta bërë atë kryeministre e tani gjendet në listën e Vetëvendosjes, s’besoj që e kapërdijnë aq lehtë këtë çështje”.

Quni në Klan Kosova ka mohuar se LDK është fajtore për prishjen e koalicionit me Vetëvendosjen duke thënë se LDK e ka në natyrën e saj që të solidarizohet me anëtarët e saj që i është besuar një detyrë, sikurse ndodhi në rastin me Agim Veliun, që u lirua nga detyra e ministrit të Brendshëm nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Po ashtu, Quni ka thënë se LDK asnjëherë s’ka qenë patericë e askujt dhe se gjithmonë i është përmbajtur premtimeve dhe atyre që kanë deklaruar.

Quni ka thënë se koalicionet e LDK-së me partitë që s’janë pëlqyer nga votuesit mund t’i ketë penalizuar, por edhe kanë ofruar mësime për të gjithë partitë.