Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë kanë përfunduar dëshmitë e prokurorisë.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës gjatë këtij muaji janë dëgjuar tre dëshmitarë.
I pari i cili në gjykatore foli nën masa mbrojtëse, është pjesë e stafit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Po ashtu, edhe Christopher Kelly, i cili ka qenë dëshmitari i tretë dhe i fundit i ftuar për dëshmi, punon me kohë të pjesshme për prokurorinë për të bërë hetime forenzike digjitale. Ndërkaq, holandezi Koel Herlaar, i cili më shumë u dëgjua në seancë private është ekspert i kriminalistikës në Institutin e Kriminalistikës së Holandës.
Artan Çerkini, i cili ka qenë avokat i Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut, ka vënë në pikëpyetje pavarësinë e këtyre ekspertëve të ftuar për dëshmi nga ZPS.
Çerkini: Dëshmitarë nuk mund të jetë punonjësi i ZPS-së
(Video)
“Dëshmitar ekspert nuk mund të jetë punonjësi i ZPS-së, ngase për të shërbyer si ekspert në një procedurë gjyqësore, eksperti duhet të jetë i pavarur nga palët. Një punonjës i ZPS-së nuk mund të jetë i pavarur. Prandaj nuk e plotëson kushtin bazik për të shërbyer si ekspert në procedurë penale… Trupi gjykues kur ta vlerëson tash dëshminë e ekspertëve të cilët janë punonjës të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, natyrisht se dëshmive të tyre nuk duhet t’iu falë besimin, ngase është një lloj konflikti i interesit”, deklaron Çerkini.
Në anën tjetër, avokati Ardian Bajraktari thotë se nuk ka prova të mjaftueshme për të argumentuar pretendimet e ZPS-së për këtë vepër penale.
Bajraktari: Dëshmitarët nuk kanë arritur të argumentojnë ekzistimin e veprës penale
(Video)
“Dëshmitë e tyre kanë qenë jo bindëse dhe jo mjaftueshëm të argumentuara në funksion të elementeve esenciale që e përbëjnë figurën e veprës penale, sepse vepra penale e pengimit të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, sipas nenit 401 të Kodit Penal, elementet esenciale të kësaj vepre janë ushtrimi i dhunës ose i kanosjes serioze. E natyrisht, përveç faktit që një person i cili ndodhet në masën e paraburgimit qe pesë vite e më tepër nuk ka mundësi me i kry këto, për më tepër, as dëshmitarët në asnjë variant nuk kanë arritur me i argumentu ekzistimin e këtyre, e këtyre pretendimeve. Për më tepër, refuzimi për të pranuar dëshmitarë të tjerë të cilët do të mund të bënin ndërlidhjen e elementeve esenciale, siç është çështja e shkakut dhe pasojës, e dëshmon edhe njëherë faktin që prokuroria nuk ka qenë e as nuk është e interesuar që edhe për këtë çështje të vendosë drejtësi”, shprehet ai.
Ekipet mbrojtëse kanë deklaruar se do të paraqesin provat e tyre, të cilët kanë kohë të dorëzojnë parashtrimet e tyre deri më 23 mars.
Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar dje se konferenca përgatitore e mbrojtjes do të mbahet më 30 marsit, ndërsa deklaratat hyrëse të mbrojtjes do të bëhen më 7 prill, e më pas do të dëgjohen dëshmitarët e mbrojtjes deri më 24 prill 2026.
Bajraktari: Mbetet të shihet qasja e mbrojtjes në funksion të kundër-agumentimit
(Video)
“Në raport me zotëri Thaçi, elementet përkatësisht vepra penale për të cilën akuzohet ai, unë kam përshtypjen që nuk është arritur të argumentohet. Mirëpo mbetet të shihet se si do të jetë qasja e mbrojtjes në funksion të kundër-argumentimit, pavarësisht faktit se siç dihet, barrën e të provuarit e ka prokuroria, e cila në bindjen time nuk ka arritur të argumentojë ekzistimin e këtyre elementeve të cilat e përbëjnë figurën e kësaj vepre penale”, tha ai.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime të pretenduara lufte.
Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.
Pesëshja e akuzuar për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues. Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.
Përndryshe, ish-presidenti, Hashim Thaçi akuzohet edhe për krime të pretenduara të luftës, bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Fjalët përfundimtare për këtë rast janë thënë gjatë muajit shkurt.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin nga katërshen e UÇK-së. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ku edhe mbrojtja ka thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së.
Tashmë çështja i ka kaluar trupit gjykues, i cili ka tre muaj kohë për të marrë vendimin final dhe nëse ka nevojë do të kërkojë edhe kohë shtesë. Kjo pritet të ndodhë për shkak të dosjes voluminoze.
Deklarimet përmbyllëse kanë nisur me datën 9 shkurt dhe kanë përfunduar më 18 shkurt.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.


















