Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë nga Obiliqi.
Haradinaj ka thënë se Obiliqin nga një qytezë që ishte larg kujdesit shtetëror, e shndërruam në qendër të rëndësishme zhvillimi.
“Për Kosovën Fituese, sot u bashkuam në qytetin e dritës dhe energjisë. Obiliqin nga një qytezë që ishte larg kujdesit shtetëror, e shndërruam në qendër të rëndësishme zhvillimi, me infrastrukturë moderne dhe shërbime cilësore për qytetarët. Ligji i posaçëm që miratuam për Obiliqin nuk ishte thjesht një dokument – ishte zotimi ynë për një trajtim meritor për banorët e këtij qyteti”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka premtuar sërish pagë minimale prej 500 euro dhe mesatare prej 1000 euro.
“Sot, përballemi me sfida të mëdha. Çmimet rriten, rrogat mbeten të ulëta, dhe shumë prej jush pyesin për të ardhmen. Por programi ynë ofron zgjidhje konkrete: paga minimale 500 euro, paga mesatare 1000 euro, pensione të barabarta me pagën minimale. Do të ndalim ikjen e të rinjve duke krijuar mundësi reale punësimi. Anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional do të hapë horizonte të reja zhvillimi për vendin tonë”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka thënë se Obiliqi është transformuar në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.
“Ne nuk premtojmë – ne veprojmë. Janë 6000 poçat ndriçues që ndrisin çdo lagje, qendrat shëndetësore në Milloshevë e Breznicë, sallat sportive në shkolla, dhe mbi 1000 bursat për studentë, dëshmitarë të përkushtimit tonë. Ndërsa të tjerët flasin dhe vrapojnë të marrin meritat, ne kemi transformuar Obiliqin në komunë kampione të subvencionimit në arsim, kulturë, shëndetësi dhe bujqësi. Me 9 shkurt, ky transformim do të shtrihet në mbarë Kosovën, e në Obiliq, për Kosovën Fituese garojnë Agim Preniqi dhe Dorentina Mustafa. Ata do të jenë zëri dhe fuqia e Obiliqit në Prishtinë, nismëtar të shumë projekteve madhore që po e presin qytetin e energjisë”, ka përfunduar Haradinaj.