Sot po vazhdojnë kërkimet në ditën e katërt për gjetjen e Muharrem Berishës, nga Gurbardhi i Malishevës, i cili nga data 24 qershor, është raportuar i zhdukur.
Familjarët e tij kanë thënë se ai vuante nga shfaqja e harresës, shkruan Indeksonline.
Këto ditë janë organizuar operacione të kërkimit, në të cilën kanë marrë pjesë të gjitha organet përkatëse dhe vullnetar të shumtë, ndërsa kërkimet po vazhdojnë edhe sot nga orët e mëngjesit
Sipas komandantit të incidentit, Halit Mazreku, drejtoria komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim, me të marrë informacionin për zhdukjen e personit në fjalë, menjëherë ka aktivizuar të gjitha mekanizmat përkatës dhe po e drejton operacionin e kërkimit. Në këtë kërkim, krahas organeve kompetente komunale, të cilat janë në bashkëpunim të ngushtë me Agjencionin për Menaxhimin e Emergjencave (AME), po marrin pjesë edhe ekipet e specializuara për kërkim dhe shpëtim të FSK-së, njësitë e specializuara të policisë, përfshi edhe njësinë K9, shërbimi i zjarrfikësve dhe shpëtim në Malishevë dhe qindra vullnetar.
Përmes një njoftimi për media nga Komuna e Malishevës kanë apeluar tek të gjithë banorët e zonës që të jenë bashkëpunues dhe çdo informatë të shkoj përmes vijës institucionale dhe të njoftohen organet kompetente.