Prokuroria Speciale nga sot në grevë njëorëshe, kërkohet shtesë në paga

E publikuar: 12/03/2018 10:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli Grevist i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, njofton se nga sot (e hënë, 12 mars), kanë vendosur të hyjë në grevë të pjesshme, nga një orë në ditë, prej orës 09:00 – 10:00. Kjo formë e grevës do të zgjasë deri të premten (më 16 mars), thuhet në njoftim.

Greva mbahet për shkak të mospërmbushjes së stimulimit në paga, të cilat janë të parapara me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Këshilli Grevist në këtë njoftim rikujton kërkesat e të punësuarve të kësaj prokurorie:

1. Kthimin e shtesës në mënyrë retroaktive nga 1 janari i këtij viti;

2. Garantimi i kësaj shtese, si shtesë e përhershme, duke rregulluar një herë e përgjithmonë këtë çështje, pa marrë parasysh ngritjen apo mosngritjen e pagave të prokurorëve;

3. Kërkesa për avancimin e zyrtarëve ligjorë, të cilët kanë dhënë provimin e jurisprudencës dhe ata të cilët tanimë i kanë dorëzuar kërkesat për avancim, si dhe cilitdo punëtor i cili plotëson kërkesat ligjore për avancim apo ngritje në detyrë në pajtim me dispozitat ligjore.

Greva do të mbahet në objektin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, në Rrugën Luan Haradinaj, ish-ndërtesa e EULEX-it./koha.net/