Deputetët njëzëri shprehen kundër dhunës në familje

E publikuar: 08/03/2018 14:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën sot në seancë për të diskutuar për dhunën ndaj grave.

Mbajtja e kësaj seance koincidon me 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, e cila filloi me urimin për gratë nga të gjithë folësit.

Në fillim të seancës, deputetët e të gjitha partive bënë një foto para foltores së Kuvendit, me bluza të veshura me mbishkrimin “Ti je një luledielli”, fushatë senzibilizuese për të ndihmuar fëmijët në nevojë.

Në emër të propozuesit të këtij debati, deputetja e Vetëvendosjes Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, tha se shteti është përgjegjës për përfaqësuesit e tij, duke përfshirë edhe dhunën në familje.

Sipas saj, dhuna në familje përbën shkelje të të drejtave të njeriut, derisa kjo shkelje ka ndikuar në mbrojtjen e të drejtës së personit për jetën, të drejtën për mjete efektive të garantuar me konventën ndërkombëtare dhe Kushtetutën.

Kollçaku: Për dhjetë vjet u vranë 15 gra

“Janë bërë dhjetë vite nga hyrja në fuqi e ligjit për dhunën në familje, nga viti 2008 e deri me sot me shumë se 15 gra janë vra, mbi 20 mijë gra kanë raportuar dhunën në familje, ndërsa mbi 68 për qind e grave kanë përjetuar dhunë në forma të ndryshme. Jemi të sigurt se drejtësia për secilën grua është e stërvonuar me vet faktin se sa lëndë janë trajtuar nga ana e drejtësisë. Edhe ato pak raste që janë trajtuar vendimet kanë qenë shumë të buta në krahasim me krimin e bërë në familje. Statistikat mbi dhunën në familje e dëshmojnë këtë gjendje. Nga janari deri në dhjetor 2017 janë evidentuar 1196 raste të dhunës në familje”, tha Kollçaku.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, theksoi se Qeveria që ai drejton do të jetë përkrah familjeve për të ndalë dhunën në familje.

Haradinaj: Qeveria do t’i kryejë detyrat e veta

“Detyra ime sot është të them se Qeveria e vendit, institucionet e vendit e ndjejnë përgjegjësinë, barrën që iu takon, detyrat që i kanë që dhuna në familjet tona të ndalet, mos të ndodh dhe e përshëndesim këtë seancë, debat parlamentar. Do t’i mbështesim ato konkluzione që do t’i aprovoni, nëse i aprovoni”, u shpreh Haradinaj.

Në emër të LDK-së, foli deputetja Lirije Kajtazi, e cila tha se gratë në Kosovë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara.

Kajtazi: Gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara

“Por këtyre ligjeve vazhdon t’i bëjë rezistencë barriera kulturore. Shumë fakte tregojnë se shoqëria jonë nuk ofron mundësi të barabartë për gratë dhe burrat. Gratë vazhdojnë të jenë të nënpërfaqësuara, vazhdojnë të mos jenë mjaftë të punësuara, përparimi në karrierë, e drejta në pronë, trashëgimi, e për fat të keq duke përfshirë edhe temën e sotme, dhunën në baza gjinore. E dhuna buron nga paedukata, nga i ligu që nuk mund të menaxhoj vetën dhe situatën, për fat të keq si instinkt natyror me daljen e njeriut nga shpella. Ka shumë rëndësi ruajtja e dinjitetit vetanak nga i cili del ai familjar për të reflektuar në dinjitetin nacional. Dhuna ndaj grave ndikon seriozisht edhe në zhvillimin ekonomik të një vendi”, tha Kajtazi.

Deputetja e PDK-së, Mexhide Mjeku-Topalli, tha se me gjithë punën ndërgjegjësuese që është bërë, sidomos në dhjetë vitet e fundit, qëndrimet ndaj dhunës nuk kanë ndryshuar shumë.

Mjeku-Topalli: Vetëm 5 për qind e grave të dhunuara e denoncojnë dhunën

“Vetëm rreth 5 përqind e grave të dhunuara në gjirin e familjes denoncojnë dhunën e ushtruar ndaj tyre. I vetmi burim i informacionit mbetet vet viktima e cila në çdo rast nuk është e çliruar nga paragjykimet dhe stereotipet që ekzistojnë në shoqëri apo në komunitetin ku ai apo ajo bëjnë pjesë. Dhuna në familje vetëm në raste të rralla përcaktohet dhe penalizohet si krim brenda familjes duke mos e paraqitur kështu në statistikat zyrtare. Dhuna ndaj gruas është një problema kompleks që përfshinë me shumë se një akt në vetvete në marrëdhëniet personale ndërmjet burrit dhe gruas”, theksoi Mjeku-Topalli.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha se dhuna në familje është e papranueshme. Ai tha se politika për përmirësimin e gjendjes sociale dhe ekonomike të gruas dhe rishikimi i politikave aktuale për punësimin e tyre janë objektivat e tij dhe dikasterit që ai drejton.

Reçica: Dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave janë të patolerueshme

“Gratë janë vendimmarrëse të dëshmuara dhe meritojnë të jenë pjesë e hallkave me të rëndësishme të shtetit dhe shoqërisë. Dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave janë sjellje jo normale dhe të patolerueshme. Ato renditen ndër shkaqet kryesore të dëmtimit të jetëve njerëzore dhe klasifikohen si cenim i integritetit fizik, moral, psikologji, social dhe ekonomik. Dhuna në familje dhe grave diskutohet si problem mbarë botëror dhe kërkohet një sërë veprimesh për adresimin e tyre. Për këtë arsye shtetet dhe shoqëritë e sotme inkurajohen vazhdimisht të marrin masa të nevojshme për njohjen, trajtimin me efikasitet të gjitha rasteve që raportojnë incidente të dhunës në familje, duke iu ofruar siguri të menjëhershme, mbrojtje, shërbime të standardizuara dhe cilësore për shpëtimin e tyre, rehabilitimin e tyre që pësojnë dhunë në familje”, tha Reçica.

Propozuesit e kësaj seance, deputetët e Vetëvendosjes kanë lëshuar të gjithë seancën plenare kur po diskutohej për dhunën në familje.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu e quajti papërgjegjësi sjelljen e deputetëve të VV-së, si iniciator të kësaj seance, derisa e braktisën të gjithë.

Musliu: Kam një mesazh për VV-në

“Unë po iu them qytetarëve të Kosovës, meqë sot po folët për dhunën në familje, mos u befasoni sepse siç e kemi këtë parlament, siç sillen iniciuesit e kësaj seance ashtu e kemi edhe gjendjen e dhunës në familje, dhunës ndaj grave. Unë jam e befasuar nga iniciatorët e kësaj seance pikërisht nga VV, e cila rrufeshëm i shfrytëzoi minutat e tyre për të dalë për ta akuzuar kryetarin e Kuvendit dhe gjithë tjerët të cilët mundohen të bëjnë diçka për këtë vend, ndërsa vetë neglizhojnë, vetë braktisin, vetë sabotojnë, vetë ofendojnë. Thjesht një mesazh e kam sot, për VV, dallojeni erën e luleve nga era e atij që ju e dini, po e them në mënyrë simbolike nga era e Albinit”, tha Musliu.

Seanca shkon në pauzë deri në orën 14:00, meqë numri i deputetëve ishte i vogël në sallë./rtklive/