RD këmbëngul në versionin e saj se nga shtëpia e nënës së ministrit Gjiknuri nuk u vodhën 300 mijë lekë, por plot dy thasë me para, të cilat sipas saj janë të barabartë me rreth 1 milion euro.
Në numrin e sotëm të saj, organi zyrtar i PD-së shkruan duke iu referuar dëshmitarëve në vendin e ngjarjes së hajdutët janë parë të dalin prej saj me shuma të mëdha parash në dorë duke vrapuar nëpër rrugica.
Pjesë nga shkrimi i RD
Dëshmitarët kanë pohuar se grabitësit kanë dalë nga shtëpia me dy thasë të mbushur dhe kanë ikur me shpejtësi përmes rrugicave të lagjes dhe më pas kanë ngarkuar thasët në një makinë që i priste në një nga rrugicat dhe janë larguar. Thasët nuk mbushen me para pensionesh dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët që dje kanë reaguar me ironi ndaj lajmeve dëshpëruese të qeverisë se nuk ishte vjedhur ministri, por pensioni i të emës.
Se sa është shuma e marrë në banesën e ministrit kjo ende nuk mund të thuhet saktësisht, por dy thasë të mbushur me para janë të mjaftueshëm sipas ekspertëve të bankave për të llogaritur një shumë që shkon përtej 1 milion eurove.
Nuk duhet pritur nga Policia zbardhja tërësore e ngjarjes dhe shuma reale e parave që janë grabitur në shtëpinë e ministrit. Ato fshihen dhe nuk tregohen.
Kjo ka ndodhur sa herë janë vjedhur shtëpi të ministrave apo edhe të zyrtarëve të lartë që kanë pasur shuma të mëdha të parave të padeklaruara.
Pak kohë më parë pati një tjetër raportim për vjedhjen e shtëpisë së një tjetër ministri të qeverisë Rama dhe sipas raporteve në media bëhej fjalë për një shumë që arrinte shifrën e 8 milionë eurove.
Në atë rast, lajmi nuk u bë publik dhe u mbajt i fshehtë.

















