Kompanitë e huaja janë vënë pas informatave të qytetarëve të Kosovës. Madje një nga kompanitë që po synon të marrë këto informata ka bazën në Beograd, raporton Gazeta Monitor.
Nesër (martë) në ora 10:00 nga Byroja Kosovare e Sigurimeve do të hapet tenderi “Sistemi informativ i shitjes dhe menaxhimit të policave dhe dëmeve të autopërgjegjësisë”.
Në këtë tender pritet të aplikojnë edhe kompani serbe. Për këtë tender sipas burimeve të portalit janë zhvilluar biseda me disa kompani vendore dhe të huaja e që kryesisht vijnë nga Serbia e Maqedonia.
“Madje është fiksuar edhe çmimi i sistemit dhe i mirëmbajtjes. Comtrade nga Serbia ka ofruar 250 000 euro sistemin dhe 20 për qind mirëmbajtje vjetore. Deri sa kompania nga Maqedonia ‘Edu Soft’ po heziton të jetë pjesë e tenderit sepse u ka shitur disa kompanive një pjesë të softit dhe si e tillë mund të diskualifikohet nga tenderi duke pasur parasysh që këto kompani që kanë relacione mund të favorizohen në shitje të policave në të ardhmen”, ka thënë në kushte anonimiteti për redaksinë ky burim i afërt me BKS-në.
Një nga objektivat e sistemit informative është edhe Integrimi me institucionet shtetërore dhe financiare (Regjistri civil, ARBK, QRA, ATK, QAK, Banka etj.), që nënkupton se rrezikohen të dhënat e shtetasve të Kosovës.
Kjo i bie që përmes kompanive të sigurimit Beogradi të ketë qasje në informata private të qytetarëve.
Ajo çka bie në sy në këtë tender (një kopje të së cilës ka siguruar redaksia) është se tek pika 4 kërkohet që Koha e liferimit Softueri duhet të jetë i gatshëm për testim më datën 15 Nëntor 2017. “Softueri së bashku me harduerin duhet të jetë i gatshëm për përdorim më së largu deri më datën 15 Dhjetor 2017”, thuhet në këtë pikë të tenderit që nënkupton se softueri-një sistem kaq kompleks duhet të përgatitet hiq më shumë se brenda dy muajve.
Po sipas këtij burimi duke pasur parasysh se kërkesat e sistemit janë që ky sistem të jetë i lidhur me MPB, ATK- në…etj, Kompania apo Operatori i cili e zhvillon dhe e mirëmbanë këtë Sistem, ka çasje të hapur në të dhënat personale të qytetarëve dhe bizneseve në Republikën e Kosovës.
“Andaj edhe ndjeshmëria e këtij sistemi është mjaft e madhe dhe meriton kujdes të veçante. Kjo gjë na le të nënkuptojmë se nëse ky Sistem zhvillohet jashtë kufijve të Republikës së Kosovës, atëherë edhe të dhënat personale të qytetarëve të saj do të jenë të ekspozuara. Në aspektin teknik, këto veprime janë vështirë të gjurmueshme, sikurse edhe në aspektin ligjor, duke e pasur parasysh se kompetencat e Agjensionit Shtetëror për mbrojtjen e të dhënave shtrihen vetëm në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë për Gazetën Monitor ky burim.
Redaksia ka kontaktuar dhe me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) lidhur me këtë çështje.
Sipas përgjigjes së BQK-së, ky institucion bazuar në kompetencën e saj ligjore të rregulluesit dhe mbikëqyrësit të kompanive dhe ndërmjetësuesve të sigurimit si dhe Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), respektivisht lidhur me iniciativën e BKS për avancimin e sistemit online te administrimit te policave te aktivitetit sigurues, ka kërkuar nga kjo e fundit të siguroj që procesi të jetë transparent dhe që avancimi i sistemit të bëhet në pajtueshmëri me kornizën ligjore.
“Po ashtu, BQK-ja ka kërkuar që të sigurohet mbrojta e të dhënave dhe që operacionet të zhvillohen në kursin e tyre të zakonshëm duke mos pasur në asnjë mënyrë ndërprerje të sistemit”, thuhet mes tjerash në përgjigjen e BQK , por që nuk ka ndonjë përgjigje rreth përgjegjësisë që duhet të ketë BQK në mbrojtjen dhe ruajtjen e dhënave të qytetarëve të Kosovës disa prej të cilave janë në kompetencë të saj./Gazeta Monitor/

















