LDK e pakënaqur që sondazhi e nxori në vendin e dytë, reagon ndaj RTK-së

E publikuar: 26/05/2017 11:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj televizionit publik për publikimin e një sondazhi të porositur nga portali Indeksonline, e i cili të enjten paraqiste si fitues koalicionin PDK-AAK-Nisma.
Sipas këtij subjekti politik, publikuesi i sondazhit, s’ka dhënë asnjë shpjegim tjetër, të domosdoshëm, të paktën për ta shfaqur si të besueshëm. Ndërkaq, thotë se duke shkelur çdo standard profesional dhe Ligjin për Transmetuesin Publik, RTK, në lajmet qendrore transmetoi me shumë pompozitet rezultatet e këtij sondazhi.

Reagimi i LDK-së:

Reagim ndaj sondazhit të porositur të “Indeksonline” e të transmetuar nga RTK

“Indeksonline”, një prej portaleve të Prishtinës, e dëshmuar për anshmëri politike, ka publikuar një, gjoja sondazh, të cilin vet e ka pranuar se është i porositur, por nuk ka treguar as prej cilës kompani është realizuar, cila metodologji është përdorur dhe as me sa respondentë është realizuar.

Publikuesi i gjoja sondazhit, s’ka dhënë asnjë shpjegim tjetër, të domosdoshëm, të paktën për ta shfaqur si të besueshëm.

Në karremin e rezultateve të këtij sondazhi të porositur, të cilat nuk i besojnë as ata që e kanë porositur, nuk kanë rënë mediat serioze të Kosovës. Por, “ka rënë” Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Duke shkelur çdo standard profesional dhe Ligjin për Transmetuesin Publik, RTK, në lajmet qendrore transmetoi me shumë pompozitet rezultatet e këtij sondazhi.

Në kushte normale, për këtë shkelje profesionale dhe ligjore, edhe ndaj “Indeksonline” si “porositës”, por edhe RTK si “transmetues” i këtij “sondazhi” do të duhej të kërkohej dhe të jepej llogari.

Por, ne në Kosovë nuk jemi në kushte normale. Të paktën jo deri më 11 qershor, kur do të flasë sovrani.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pa u shqetësuar, për hir të sqarimit të anëtarësisë e përkrahësve të saj dhe opinionit publik, thekson se praktikat tashmë të njohura të publikimit të sondazheve të porositura, jo vetëm që janë demaskuar, por kanë prodhuar efekte të kundërta.

Sondazhet e porositura nuk mund ta ndryshojnë vullnetin e sovranit më 11 qershor, kur institucionet e pavarura të Kosovës, përfshirë këtu edhe RTK-në, do të ç’kapen.