Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se të mërkurën do të jetë vetëm një rend dite në Kuvendin e Kosovës, ajo e mocionit të mosbesimit të qeverisë të nisur nga partitë opozitare.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në Interaktiv, Haziri ka thënë se LDK është e unifikuar dhe nesër do ta dëshmojë këtë duke votuar për të vazhduar marrëveshjen e qeverisjes me PDK-në.
Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit, më herët gjatë ditës njoftoi se ka biseduar në telefon me ndihmëssekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Yee, i cili i ka kërkuar që nesër çështje e demarkacionit me Malin e Zi të futet në rend dite para çështjes së mocionit.
“Deputetët janë të njoftuar zyrtarisht se nesër qeveria prej orës 10:00 do të testohet me mocionin për mosbesim. Ne besojmë shumë që seanca për mocion do të jetë e vetmja që do të mbahet nesër. Demarkacioni dhe disa ligje janë prioritet për Kosovën. Kosova duhet t’i miratojë, por pas përfundimit të seancës për mocion, nesër, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit besoj se do të ulen dhe do të koordinojnë agjendën e përbashkët lidhur me këto ligje”, ka thënë ai.
Haziri po ashtu ka shtuar se partia e tij është e unifikuar sa i përket demarkacionit dhe çështjeve të tjera “në të mirë të Kosovës”.
“Qëndrimi i LDK-së është që të mos ketë seancë tjetër para seancës për mocion. Kjo situatë politike është në dorën e deputetëve, ata i bashkëngjiten opozitës për të rrëzuar qeverinë, apo për të mbështetur qeverisjen. Jemi të fokusuar që të vazhdojmë marrëveshjen sa i përket koalicionit”, ka shtuar ai.”LDK sot e nesër e tutje është e unifikuar dhe voton çdo proces që është në të mirë të vendit. Unifikimi jonë nuk duhet të frikësojë askënd. Këtë unifikim e kemi arritur falë pjekurisë së deputetëve tanë. Presim që edhe partitë tjera që kanë peshë nesër të reflektohet në votim. Të gjithë deputetët e LDK-së do të votojnë çdo proces në të mirë të Kosovës”.


















