BE-ja thotë se 99-a s’mohohet, SHBA-ja kërkon kthim në dialog

E publikuar: 07/12/2019 20:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Valës së reagimeve kundër dënimit të ish-ministrit Ivan Todosijeviq, i është bashkuar edhe drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Gjuriqi i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të deklarohet qartë nëse, siç ka thënë ai, mbështet ndalimin e lirë së shprehjes për serbët në Kosovë, raporton KTV.

“Në bazë të një deklarate të Zyrës së BE në Prishtinë, mund të konkludojmë se po zhvillohet linçimi kundër Ivan Todosijeviqit, i cili u dënua me dy vjet burgim, vetëm se tha të vërtetën dhe guxoi të thoshte se Reçaku ishte një trillim i agresionit të paligjshëm, se organizata e UÇK-së ishte terroriste dhe se ajo që ndodhi në Reçak nuk ishte gjenocid apo masakër”, ka thënë Gjuriqi.

Por, përveç BE-së, ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë që po mohojnë Masakrën e Reçakut ka reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë.

Sipas tyre, retorizmi nxitës dhe revizionizmi historik për ngjarjet e vitit 1999, janë të papranueshëm.

“Ngjarjet e kësaj jave tregojnë se sa e rëndësishme është që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë dhe të përqendrojnë energjitë e tyre mbi të ardhmen, duke normalizuar marrëdhëniet”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.

Derisa presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka krahasuar veprimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, me deklarimet e zyrtarëve serbë.

Ai, në një postim në Twitter, tha se nëse Merkeli flet me turp për krimet e së kaluarës, të kryera nga udhëheqësit gjermanë, udhëheqësit serbë këtë po e bëjnë me krenari për krimet e Sllobodan Millosheviqit.

“Kancelarja Merkel, në mënyrë dinjitoze, foli në Auschwitz për turpin e autorëve të krimit. Udhëheqësit serbë flasin me krenari për gjenocidin. Ne do të arrijmë paqe për gjeneratat e ardhshme të Ballkanit, vetëm kur turpi, asgjë pos turpit, shprehet kur diskutojmë për atë që la pas Millosheviqi”, deklaroi Thaçi.

Ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta, duke thënë se “çdo provokim ndaj paqes në rajon, duhet të marrë përgjigjen e merituar”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duke folur për dënimin e ish-ministrit Ivan Todosijeviq, e quajti masakrën e Reçakut trillim e të inskenuar nga Willaim Walker.

Zyrtari i Listës Serbe, ndërkaq, u dënua me 2 vjet burgim, pikërisht se kishte bërë deklaratën e njëjtë për këtë masakër.