Kuvendi premton themelimin e ushtrisë këtë vit – pas trysnisë ndërkombëtare mbi Serbinë

E publikuar: 05/02/2018 22:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Haxhi Shala, ka theksuar se FSK-ja është e gatshme për shndërrimin e saj në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).

Shala ka thënë në RTV Dukagjini se beson që transformimi i FSK-së në FAK do të ndodhë gjatë vitit 2018.

“Unë besoj që me një trysni të bashkësisë ndërkombëtare te Serbia, do të ndodhë transformimi gjatë këtij viti. Çdo ditë po shihet që Serbia është duke hequr dorë nga disa elemente që i ka pasur në Kosovë. Tash kryeministri i Serbisë po flet për një dialog të brendshëm atje. Më pas po diskutohet tërheqja e Kosovës nga Kushtetuta, por në anën tjetër edhe deputetët e Listës Serbe kanë qëndrim pak më të butë rreth kësaj teme”, ka shtuar Shala.

Sipas tij, Kosovës nuk i nevojitet një forcë pa mbështetjen e NATO-s, duke shtuar se “me rëndësi është që vendit nuk i nevojitet një ushtri pa pëlqimin e NATO-s”.

Ai ka thënë se ajo që është pozitive është se ka një koncensus të përgjithshëm të klasës politike rreth formimit të ushtrisë së Kosovës.