23 vjetori i protestave studentore, Kurti e Veseli thonë se kërkesat e atëhershme ishin fundamentale për lirinë e vendit

E publikuar: 01/10/2020 14:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sot është 23 vjetori i protestës së studentëve të 1 tetorit 1997. Me këtë rast kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka shkruar se atëherë ishin të rinj e pa perspektivë, por jo edhe të pashpresë.

“Gjenerata e studentëve të 1 tetorit 1997 janë të rinjtë e kohërave të zymta të apartheidit.Por pavarësisht këtyre rrethanave, ne kishim dëshirë të madhe për mësim e lexim. Kishim vullnetin e shkëlqimin rinor të cilat na shtynë që të përpiqemi për liri, të bëjmë rezistencë aktive e ta marrim vëmendjen e botës më 1 tetor 1997.

Që atëherë, çdo 1 tetor kujtojmë ditën kur 20 mijë studentë në Kosovë të veshur në të bardha, me parulla si “Merrni frymë sikur ne”, “Lirim i pakusht i objekteve universitare!” dhe “E nesërmja flet sot, nesër vonë!” marshuan për të kërkuar lirimin e ndërtesave dhe hapësirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka shtuar se çdo 1 tetor përkujtojmë intelektualin që na priu në protestat e 1997-s, rektorin e Universitetit dhe akademikun e rezistencës që asnjëherë nuk u zmbraps, Prof. Ejup Statovcin.

“Çdo 1 tetor studentët e ditëve të sotme duhet të marrin mësim nga studentët e protestave të 1 tetorit 1997, të kultivojnë vullnet për liri e dëshirë për dije, e të jenë gjithmonë në anën e kombit e në anën e së drejtës brenda dhe jashtë universitetit”, ka shkruar ai.

Edhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka kujtuar këtë protestë.