23 minatorë në grevë natën e Vitit të Ri, thonë se u larguan nga puna pardje

E publikuar: 31/12/2021 16:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fehmi Bajrami dhe 22 minatorë të minierës së Goleshit kanë hyrë në grevë. Ata pretendojnë se jashtëligjshëm u janë shkëputur kontratat e punës. Një gjë e tillë sipas tyre ka ndodhur pa paralajmërim.Bajrami tha se me 22 dhjetor atyre u janë shkëputur kontratat.

E lajmërimin nga menaxhmenti e kanë marrë me 28 dhjetor.“Jemi në grevë nga dje, zyrtarisht kemi hyrë sot në grevë. Jemi 23 minatorë që na është shkëputur kontrata pa paralajmërim. Me datë 22 na është shkëputur kontrata dhe me datë 28 dhjetor na kanë lajmëru. Ne punojmë në minierën e Goleshit”, ka thënë ai.Në grevë, Bajrami tha se janë 41 punëtorë.

Kjo pasi atyre në mbështetje u kanë dal edhe punëtorët e sigurimit të cilëve nuk u është shkëputur marrëdhënia e punës.E për prishjen e kontratës, ai deklaroi se nuk kanë as të drejtë ankese.“Sindikatën nuk e kemi njoftuar. Këtu jemi 41 punëtorë. 23 minatorë që na kanë larguar dhe 16 punëtorë të sigurimit që po na mbështesin në grevë. Ata nuk i kanë larguar nga puna.

Nuk na kanë dhënë asnjë arsye pse na i kanë shkëputur kontratat e as nuk kemi të drejtë ankese”, ka thënë ai.Në ndërkohë, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, Gani Osmani tha për Express se nuk kanë kontaktuar fare me këta minator.Ai deklaroi se nuk janë lajmëruar nga minatorët grevistë, por se kanë dëgjuar se u është shkëputur marrëdhënia e punës.“Nuk kemi fortë kontakt me ta.

Nuk kam informacione. Kam dëgjuar që u është ndërpre marrëdhënia e punës. Arsyet nuk i di. Ata nuk na kanë lajmëruar neve Sindikatën kështu që nuk mund të jap më shumë informacione”, ka thënë Osmani.Siç raportoi Koha, largimi i këtyre punëtorëve ka ardhur si pasojë e një vendimi të AKP-së.

Nëpërmjet letrave për largim nga puna, që punëtorët thonë se i morën me 6 ditë vonesë, AKP-ja kishte vlerësuar se shërbimi i tyre më nuk është i nevojshëm për MIM Goleshin.Që nga paslufta, Miniera e Goleshit është jashtë funksionit, shkruan Express.

Punëtorët e larguar, deri më tash, janë përkujdesur për mirëmbajtjen e makinerisë e monitorimin e 267 hektarëve vend që zë kjo ndërmarrje.Nga 41 punëtorët, tashmë kanë mbetur vetëm 18, Menaxheri i Përgjithshëm i Ndërmarrjes dhe 17 roje.