Bombë ndaj autobusit të Dortmundit, shtyhet ndeshja e Champions

E publikuar: 11/04/2017 20:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekipi i Borussias së Dortmundit konfirmoi se një prej lojtarëve të saj është plagosur, pas një shpërthimi bombe që ka prekur autobusin që transportonte lojtarët. Ngjarje, e cila për arsye sigurie ka sjellë edhe shtyrjen e ndeshjes ndaj Monakos.

Borussia nxit të pranishmit në stadium të ruajnë qetësinë, teksa hetohet ngjarja, duke shtuar se punonjës të shumtë të emergjencave kanë shkuar në vendngjarje.

“Do t’iu njoftojmë sapo të kemi lajme të verifikuara”, shkruan klubi në rrjetin social “Twitter”. Ndërkohë konfirmohet se Marc Bartra është plagosur dhe është nisur për në spital për të marrë ndihmën e shpejtë.

Ngjarja ka ndodhur vetëm pak para se ekipi t’i drejtohej stadiumit “Signal Iduna Park”, ku do të zhvillonte ndeshjen e parë çerekfinale ndaj Monacos. Klubi gjerman njoftoi se bomba ka shpërthyer jashtë autobusit të ndodhur pranë hotelit ku ishin akomoduar lojtarët përpara ndeshjes.