Angli, Chelsea kërkon ndjesë publike për skandalin seksual

E publikuar: 04/12/2016 16:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Skuadra angleze e futbollit Chelsea u detyrua të dilte publikisht për t’i kërkuar falje ish-sulmuesit Gary Johnson, për abuzimet seksuale që ai vuajti në ekipet e moshave të “bluve”, në një skandal që po merr përmasa të mëdha në ishull.

Ekipi londinez tha se kishte gabuar në futjen e një klauzole konfidencialiteti kur pagoi futbollistin, gjë që e kishte privuar nga faktet tronditëse.

Johnson, tashmë 57-vjeçar, tha se ishte abuzuar seksualisht nga zbuluesi i talenteve të Chelseat, Eddie Heath dhe, pas hapjes së hetimeve, palët kishin rënë dakord për një kompensim financiar prej 50 mijë paundësh.

“Është e qartë se Gary Johnson vuajti në një mënyrë të papranueshme ndërsa ishte në skuadrën tonë, gjë për të cilën Chelsea kërkon falje publike. Klubi nuk ka dëshirë të fshehë abuzimin historik, ndaj dhe jemi të përkushtuar të garantojmë sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve në ekip”, thuhet në njoftimin e Chelsea FC.

Personazhi famëkeq i “bluve” të Londrës, Eddie Heath vdiq para se akuzat të bëheshin publike. Abuzimet seksuale me të rinjtë në ekipet e futbollit kanë tronditur Britaninë e Madhe, e deri tani, të paktën 350 persona kanë denoncuar publikisht skandalin.

Britanikët ende nuk e kanë marrë veten nga një tjetër skandal pedofilie, që përfshiu radion dhe televizionin, me prezantuesin e njohur Jimmy Savile që abuzoi me qindra të rinj në 6 dekada.