​Selimi-Ahmeti dakordohen rreth legjislacionit sekondar për policinë e kryeqytetit

E publikuar: 07/07/2020 13:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë Selim Selimi ka takuar sot kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, me të cilin ka diskutuar ndër tjerash, edhe për formimin e policisë së kryeqytetit, e cila do të ndikojë në rritjen e efektivitetit në mbrojtjen e qytetarëve.

Selimi pas takimit tha se janë në përfundim të Ligjit për Gjykatën Komerciale, i cili do të jetë gati më së largu deri në fillim të tetorit.

Selimi: Gjykata Komerciale përfundimtare deri në shtator-tetor

Video

“Ne tashmë jemi në përfundim të punës për Gjykatën Komerciale, ligjit për Gjykatën Komerciale, e cila do jetë përfundimtare deri në shtator-tetor. E dimë që Prishtina është nikoqire e gjykatave më të mëdha dhe gjykatave që kanë më së shumti punë edhe kjo mund të ketë implikime në punën komunale,” tha Selimi.

I pari i Drejtësisë i ka ofruar të gjitha kapacitet për implementim të ligjit të Prishtinës dhe legjislacionit sekondar që lidhet me krijimin e policisë së kryeqytetit, gjë të cilën e parasheh edhe vetë ligji.

Selimi: MD ofron kapacitetet për legjislacionin sekondar për Ligjin e Prishtinës

Video

“Ne si ministri i Drejtësisë do t’ua ofrojmë të gjitha kapacitetet për legjislacionin sekondar për Ligjin e Prishtinës e cila ka qenë një punë e përbashkët e cila është bërë para disa muajve dhe kemi qenë të gjithë të gëzuar që ky ligj ka hyrë në fuqi, por tash na duhet ta implementojmë ligjin. Disa prej çështjeve të legjislacionit sekondar lidhen me Ministrinë e Drejtësisë, por duhet ta bëjmë një koordinim më të përafërt me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe komunën për ta zhvilluar legjislacionin sekondar. Legjislacioni sekondar ka të bëjë kryesisht me krijimin e Policisë së komunës, e cila do ndikonte në rritjen e efektivitetit kryesisht me mbrojtje e qytetarëve të komunës dhe çështjen e pronave”, theksoi ai.

Ndërsa, kryetari Ahmeti tha se kanë diskutuar edhe për ndryshimet në Kodin Civil dhe atë të Procedurës Penale, e të cilat do kenë ndikim në punën e komunës që ai drejton. Ai tha se me këtë tast po shikojnë mundësitë e një udhëzimi administrativ, i cili do t’i hapte rrugë krijimit të policisë së Prishtinës.

Ahmeti: Të shohim mundësitë për t’i hapur rrugë krijimit të Policisë së Prishtinës

Video

“Ta marrim ndihmën nga ministria e Drejtësisë së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, të përpilojmë legjislacionin sekondar për Policinë e Prishtinës, e cila është obligim që ka dalë nga Ligji për Prishtinën. Meqenëse ka kaluar një kohë prej aprovimit të ligjit, tash do të diskutojmë edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme për një udhëzim administrativ, i cili do t’i hapte rrugë krijimit të drejtorisë brenda Policisë së Kosovës e që është Policia e Prishtinës, e cila do të merrej ekskluzivisht me Prishtinën”, tha ai.

Ndryshe, në fund të takimit, ministri Selimi i dhuroi kryetarit Ahmeti një portret të Hyjneshës në Fron. /KosovaPress/