​Osmani dekoron me Medalje presidenciale të meritave post-mortum punonjësit shëndetësorë të vdekur nga COVID-19

E publikuar: 24/11/2020 18:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, ka vendosur të dekorojë post-mortem me Medaljen presidenciale të meritave punonjësit shëndetësorë të cilët ndërruan jetë si pasojë e infeksionit me COVID-19.

Ajo ka bërë të ditur se ceremonia e ndarjes së dekoratave do të organizohet së shpejti në Presidencë, në prani të familjarëve, ndërkaq lista e të dekoruarve do të përditësohet konform informatave nga institucionet përgjegjëse.

“Mijëra punonjës shëndetësorë u infektuan nga virusi COVID-19, si vija e parë e përballjes me pandeminë. Përderisa shumica i mbijetuan këtij virusi të rrezikshëm dhe menjëherë u kthyen në shërbim të pacientëve, disa prej tyre, për fat të keq, humbën jetën në këtë përballje. Kontributi i tyre, duke dhënë edhe jetën vetëm e vetëm për t’i shërbyer pacientëve të tyre, duke respektuar betimin e Hipokratit deri në frymën e fundit, meriton të nderohet nga të gjithë ne”, shkruan Osmani në një postim në Facebook.