​Likaj e Shahini dakordohen për harmonizimin e planeve për fillimin e vitit të ri shkollor

E publikuar: 16/07/2020 16:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Qeverinë e Shqipërisë, Besa Shahini ka zhvilluar një takim me homologun e saj, ministrin e Arsimit dhe Shkencës të Kosovës, Ramë Likaj.

Takimi u zhvillua në Prishtinë, ku të dy ministrat kanë biseduar mbi bashkëpunimin e deritanishëm në arsim mes Shqipërisë e Kosovës dhe thellimin e mëtejshëm të tij.

Në postimin e saj në “facebook”, ministrja Shahini nënvizon se “për shkak të kushteve të pandemisë në të cilën gjendemi, u dakorduam gjithashtu për harmonizimin e planeve të veprimit drejt fillimit të vitit të ri shkollor”.

“Na pret një vit i vështirë shkollor, por në bashkëveprim të ngushtë me miqtë e partnerët do t’ia dalim më së miri në mënyrë që mësimi të zhvillohet sa më cilësisht dhe pa krijuar boshlleqe tek nxënësit tanë”, shprehet ndër të tjera Shahini.