​Koncept-dokumenti për vetingun në drejtësi finalizohen në muajin gusht

E publikuar: 16/06/2021 16:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se koncept-dokumenti për vetingun në drejtësi do të finalizohet në muajin gusht.

Ajo në raportimin para Komisionit për Integrime Evropiane tha se nuk iu është adresuar asnjë kriter shtesë për liberalizim të vizave, por vetëm angazhim dhe veprime serioze në adresimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Përkitazi me këtë, Haxhiu tha se me pakon e re ligjore dhe fuqizimin e kapaciteteve profesionale të Prokurorisë Speciale, për luftimin e nivelit të lartë të korrupsionit do të ketë avancime në këtë drejtim

Derisa edhe kërkoi bashkëpunim nga opozita për hartimin e koncept-dokumentit për vetingun në drejtësi.

“Dje kemi përmbyllur draftin e parë të koncept-dokumentit dhe i njëjti dje është dërguar te grupi i gjerë i anëtarëve për të dhënë komentet e tyre deri më 30 qershor të këtij viti. Planifikojmë që koncept dokumenti për vetingun në sistemin e drejtësisë të bëhen në fund të muajit gusht. Do të fokusohemi në verifikimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në tri aspekte. E para integriteti moral i tyre, i cili është shumë i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë sepse në kuadër të tyre duhen të jenë njerëz që kanë integritet moral në radhë të parë. E dyta në integritetin profesional të tyre, ne jemi të vetëdijshëm se shumë, mos ta ekzagjeroj përballet edhe me persona që nuk janë profesional dhe aspekti pasuror. Këto janë tri aspektet ku do të fokusohemi”, tha ajo.

Por një gjë të tillë e kundërshtoi deputetja e PDK-së, Blerta-Deliu Kodra, e cila tha procesi i vetingut është kompleks dhe nuk mund të ketë përzierje kompetencash ndërmjet qeverisë dhe opozitës.

“Ju udhëhiqni me qeverinë, nuk mund të ftoni opozitën për një proces tejet kompleks siç është procesi i vetingut pa u bërë një dakordim më specifik. Pa një gjithë përfshirje të spektrit politik të shoqërisë civile sepse procesi i vetignut sepse ai është përkrahur që nga zotëri Veseli. Nuk mund të ftoni ju tash, sepse është përzierje e kompetencave që ne si opozitë të vijmë në qeveri për ta hartuar koncept-dokumentin për veting. Ne e kemi punën tonë brenda komisioneve parlamentare. Prandaj nuk mund të kemi përzierje të kompetencave sepse vetingu është proces që do të kalon përmes parlamentit. Prandaj përfaqësuesit e opozitës kanë refuzuar në përfshirjen e hartimin e koncept-dokumentit nga qeveria”, tha ajo.

Duke premtuar luftimin e krimit dhe korrupsionit, ministrja Haxhiu tha se në muajin shtator, Projektligjin për pasurinë e pajustifikueshme do ta dërgojnë në Kuvendin e Kosovës.

“Jemi duke punuar në hartimin e projektligjit të pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme. Koncept-dokumentin e kemi votuar në qeveri, tash jemi duke punuar të hartimin e tij. Konsiderojmë se i njëjti më së largu deri në shtator të procedohet në Kuvendin e Kosovës për votim. Çka ka përcëllim ky projektligj është se barra e provës do të bartet te personi i dyshuar. Kryesisht do të merret me nivelin e lartë të korrupsionit. Në kuptimin se një zyrtar ka shpërpushje me të ardhurat që ka, atëherë ligji përkatës, apo agjencinë përkatës të ketë të drejtën ta ftoj zyrtarin për të justifikuar pasurinë”, shtoi Haxhiu.

Lidhur me këtë, anëtarja e komisionit nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj tha se kriteri i luftimit të krimeve dhe korrupsionit nuk është që përfundon ndonjë herë, për këtë arsye pyeti ministren Haxhiu se cilat janë koncesionet që pritet t’i bëjë Qeveria Kurti për liberalizim të vizave.

“Ne i kemi plotësuar kushtet edhe kriteret, nëse nuk i kishim plotësuar, komisioni evropiani nuk kishte dhënë rekomandim pozitiv. Kriteri i krimeve dhe korrupsionit nuk është kriter që përfundon sot dhe as nuk ka nisur. Por është një kriter i vazhdueshëm. Ministre, cili është ai koncesion që kemi me bërë për liberalizim të vizave, sipas raportueses për Kosovën në Parlamentin evropian.

Por, ministrja Haxhiu tha se nuk do të bëjnë asnjë koncesion dhe se nuk ka pranuar asnjë kriter të ri nga takimet që i kanë pasur me zyrtarë evropian.
“Sa i përket kritereve tjera a ka, jo. Problemi i vetëm që përmendet në secilin takim të përfaqësuesve ndërkombëtar është veprimet serioze në adresimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit” , deklaroi ajo.

Krahas këtyre, ministrja Haxhiu tha se janë duke bërë planifikimet për strategjinë e re të sundimit të ligjit.