​KGjK po mban procesin zgjedhor për dy anëtarë nga Gjykatat Themelore

E publikuar: 21/06/2021 16:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është duke mbajtur procesin për përzgjedhjen e dy anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Në listën përfundimtare të kandidatëve nga Gjykatat Themelore të nominuar për këto dy pozita janë Arjeta Sadiku nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Besnik Bislimaj nga Gjykata Themelore e Gjakovës, Fidan Hoxha nga Gjykata Themelore e Prizrenit, Mirlinda Bytyqi nga Gjykata Themelore e Ferizajt, Veli Kryeziu nga Gjykata Themelore e Gjilanit dhe Veton Ademaj nga Gjykata Themelore e Pejës.

I nominuari, qjyqtari Veton Ademaj nga Gjykata Themelore në Pejë para se të nis procesi i votimit deklaroi se nëse arrin të bëhet anëtar i KGJK-së do punoj që të rritet transparenca në këtë institucion si dhe do kontribuoj të kthehet besimi i qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

Ademi tha se nëse zgjidhet anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës do angazhohet që avancimi i gjyqtarëve të bëhet sipas meritave.

“Duke pasur parasysh që në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës deri më tani është arritur progres i cili është evident, mirëpo edhe përkundër kësaj sistemi gjyqësor i Republikës së Kosovës ballafaqohet me probleme të shumta ndër to numri i madh i lëndëve të pazgjidhura, numër i vogël i gjyqtarëve, ngarkesa e madhe me lëndë e gjyqtarëve mungesa e stafit mbështetës profesional siç janë stafi profesional dhe zyrtarët gjyqësor e probleme të tjera të shumta. Synimi im në cilësinë e kandidatit për anëtar të KGJK-së është që përmes një procesi i bashkëpunimit edhe me institucionet tjera kompetente do bëjmë përpjekje që të rritet numri i gjyqtarëve e cila do ndikoj drejtpërdrejt në zvogëlimin e numrit të lëndëve të pazgjidhura të cilat presin me vite në sirtar të gjykatave, do bëjë përpjekje që të rritet numri i stafit mjekësor profesional për gjyqtar siç janë bashkëpunëtorët profesional. Krijimi i kushteve më të mira për gjyqtarët dhe stafin mbështetës profesional. Do të angazhohen që gjyqtarët të kenë mbrojtje gjatë ushtrimit të funksionit të tyre e jo vetëm të sulmohen dhe kritikohet kjo mund të arrihet me mbrojtje nga KGJK dhe do bëjë përpjekje në promovimin e të drejta të gjyqtarëve”, tha ai.

I nominuar për anëtar të KGJK-së është edhe gjyqtari Veli Kryeziu nga Gjykata Themelore në Gjilan i cili tha se do të angazhohet që të jetë zë i arsyeshëm për një gjyqësor funksional dhe transparent e të efektshëm.

Kryeziu tutje tha se do të angazhohet që edhe vettingu në sistemin e drejtësisë të zhvillohet mbi parime dhe dispozita ligjore.

“Jam i gatshëm që të përballem me sfidat e gjyqësorit të cilat nuk janë të pakta iu ofroj bashkëpunim shumë dimensional dhe të sinqertë dhe profesion duke iu premtuar se gjatë mandatit tim plani strategjik do të aprovohet në të gjithë kolegët prezent duke futur pika të arsyeshme që do realizohen në përpikëri çdo nevojë që ka gjyqësori në përgjithësi. Do jemi zëri i arsyeshëm i juaj sepse me të vërtet, di, mundem dhe deri më tani synimet e mija në interes të përgjithshëm i kam realizuar duke mos u zmbrapsur edhe kur jam gjetur para situatave kur në dukje kanë qenë gati të parealizueshme…. Në çdo kohë do jemi zëri juaj i arsyeshëm për një gjyqësor funksional dhe transparent e të efektshëm”, tha ai.