​Deputetët përplasen se kush ka faj për mos mbështetje ndaj personave me nevoja të veçanta

E publikuar: 03/12/2020 18:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë përplasur verbalisht edhe gjatë debatit të sotëm parlamentar për personat me nevoja të veçanta. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje fajtor kryesor për mungesën e angazhimit institucional për persona me nevoja të veçanta janë ish-qeveritë e kaluara.

Deputetja e kësaj partie Fitore Pacolli iu drejtua iniciuesit të kësaj seance, deputetit Fetah Rudi që të ndryshojë grupin parlamentar, pasi sipas saj qëndrimi në sallë i vetëm pesë deputetëve të LDK-së tregon për mos mbështetjen karshi tij.

“Sa keni udhëheq me këto institucione, nëse hyn në këtë Kuvend, dekorimi dhe interieri i brendshëm është luksoz, por s’ka pas qasje. Është dashur të vijë një kryetare e re e Kuvendit me një mendësi tjetër për të mundësuar qasje për deputetin, i cili s’ka pasur si të hyjë. Faleminderit deputetit që e ka sjellë prapë këtë temë, se në qeverisjen e kaluara dhe ju deputetët e Kuvendit nuk mendoni. Por të mendonit, LDK do të kishte më shumë deputetë në këtë sallë dhe do të ishin përkrah deputetit të tyre. Mua më vjen keq, unë kam respekt për zotin Rudi, por ai është dashur të jetë në një grup tjetër parlamentar, jo këtë grupin ku nuk ka përkrahje prej këtij grupi, jo në grupin kur janë pesë deputetë kur diskutohet për çështje që e kanë përcjellë gjithë jetën e tij”, u shpreh ajo.

Por, asaj i reagoi deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, i cili i tha deputetes Pacolli-Dalipi se po thotë të pavërteta.

“Falënderoj Fetah Rudin, i cili nuk është deputet i pavarur, por i LDK-së që e ka shtruar këtë kërkesë për debat. Nuk është mirë për hir të respektit ndaj tij gjithë këto gjëra që u folën këtu dhe u thanë të pavërteta. Turp është kjo. Fetah Rudi edhe plumba ka hëngër për shkak të qëndrimeve të veta”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha duke iu adresuar fjalimit të deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, tha se partia e Albin Kurtit po ‘bën drama’ me idenë e popullzimit.

“Është shumë e lehtë të dilet me këso lloj dramash këtu dhe performancat në idenë e popullzimit. Është mirë të na tregoni se kush është kryeministër. Është shumë e lehtë ajo. Çka nuk është e lehtë, është ajo për realizimin e nevojave të këtyre kategorive pavarësisht se kush është në qeveri”, tha ajo.