“Ёshtë shqetësuese mospërfshirja e Thaçit dhe Veselit në aktakuzë”

E publikuar: 06/04/2018 16:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dardan Molliqaj nga Grupi Pavarur të Deputetëve, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për rastin e quajtur “Pronto”.

Molliqaj i është gëzuar ngritjes së aktakuzës së klanit Pronto, duke thënë se është lajm i mirë për vendin.

Ai ka thënë se ajo që është shqetësuese në këtë rast është se shefat e klanit Pronto, pra Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, nuk janë pjesë e aktakuzës ani pse në përgjimet e publikuara kuptohet qartazi që Adem Grabovci.

“Ngritja e aktakuzës ndaj disa prej pjesëtarëve të klanit Pronto është lajm i mirë për vendin. Por, ajo që është tejet shqetësuese në këtë rast është se shefat e klanit Pronto, pra Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, nuk janë pjesë e aktakuzës ani pse në përgjimet e publikuara kuptohet qartazi që Adem Grabovci është vetëm zbatues i urdhrave të tyre”, ka shkruar Molliqaj.

Molliqaj ka thënë se PDK duhet të largohet nga Qeveria sa më shpejtë dhe të gjithë të korruptuarit duhet të hetohen nga organet e drejtësisë.

“PDK-ja që ka keq qeverisur me vendin nga viti 2007 duhet të largohet nga Qeveria sa më shpejtë dhe të gjithë të korruptuarit të hetohen nga organet e drejtësisë. Jo vetëm për t’i përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, por për ta zhvilluar vendin tonë”, ka përfunduar ai.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka ngritur aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto”. Në këtë çështje penale janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish deputeti A.G., ministri aktual B.B., deputeti aktual Z.P., dy ish Sekretar të përgjithshëm I.G. dhe Xh.D., ish zëvendësministër F.Sh., këshilltari politik në MPB S.G., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit N.K. dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë A.P. /Insadjeri.com