Zyrtarja koreanoveriore: Uashingtoni ta durojë realitetin

E publikuar: 20/10/2017 23:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një zyrtare e lartë koreanoverior tha të premten në Moskë se Pheniani nuk ka në plan ta diskutojë programin bërthamor me Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur se Uashingtoni duhet ta durojë realitetin që Koreja e Veriut ka armë bërthamore.

“Kjo është një çështje jete a vdekjeje për ne”, tha zyrtarja e Ministrisë së Jashtme koreanoveriore, Choe Son-hui, në një konferencë për mos përhapjen e armëve bërthamore në Moskë.

Chon tha se Koresë së Veriut i nevojiten armët bërthamore për “t’iu përgjigjur sulmeve të mundshme”. “Ne do t’i përgjigjemi zjarrit me zjarr”, – tha zyrtarja koreanoverior.

Koreja e Veriut ka thënë se programi i armëve bërthamore të vendit nuk është objekt për t’u negociuar dhe i hodhi poshtë thirrjet e SHBA për çmilitarizim.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Pheniani është shumë pranë të qënit i aftë për të goditur SHBA me një raketë bërthamore.

Drejtori i CIA-s Mike Pompeo, tha se është tepër i shqetësuar për kërcënimin në rritje nga Koreja e Veriut dhe se kjo ndoshta mund të nxisë një garë me armë bërthamore në mbarë Azinë Lindore.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Gjenerali H.R. McMaster, tha më vonë se Uashington po përpiqet shumë për ta zgjidhur situatën, pa qenë e nevojshme të përforet forca ushtarake.