Zyrtarja e Shpendit subvencionon veten

E publikuar: 13/03/2015 12:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Buxheti i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës në vitin 2014 nuk u shpenzua asnjë centë për projektet kapitale.

Krejt suksesi i Komunës u pa tek shpenzimi i 186,970 eurove për subvencionim në sektorin e kulturës.

U mbështetën botime të librave, ekspozita, manifestime, koncerte, filma e tjerë. Disa nga paratë u shpërndanë në mes miqsh.

Rasti më i paprecedent ka qenë kur nga Drejtoria e Kulturës është subvencionuar zyrtarja e lartë për Kulturë në Komunën e Prishtinës Drita Rudi.

Pos saj u subvencionuan edhe anëtarë të tjerë të familjes që vijnë nga bota e artit, si Rafet Rudi e Dafina Rudi.

Në vitin e kaluar, Prishtina ka ndarë subvencione në lëmin e kulturës në tri faza kohore të ndryshme. Drita Rudi në fazën e dytë ishte vetë anëtare e Komisionit Vlerësues.

Në këtë fazë ajo zgjodhi t’i “ikë” konfliktit të interesit nga ku nuk u nda asnjë para për të apo për anëtarët e familjes.

Gazeta “Zëri”, nëpërmjet zyrës për Informim të Komunës së Prishtinës, ka siguruar të gjitha dokumentet e ndarjes së subvencionimeve në lëmin e kulturës. Sipas këtyre dokumenteve shihet se në fazën e parë është subvencionuar bashkëshorti i Dritës, kompozitori Rafet Rudi me OJQ-në e tij “Qendra kosovare për muzikën e re”.

Shuma e mjeteve të marra nga Komuna ka qenë 4000 euro. Po në këtë fazë është subvencionuar edhe vajza e Dritës, Dafina Rudi me 400 euro për projektin “Dita botërore e vallëzimit”.

Ndërkaq, vetë Drita Rudi me OJQ-në e saj “Qendra multikulturore internacionale për fëmijë dhe të rinj” është subvencionuar me 3000 euro në fazën e tretë për projektin “Edicioni i 5-të i festivalit të këngës për fëmijë “Prishtina Kids Fest 2014”. Po në këtë fazë të ndarjes së subvencioneve, bashkëshorti i saj, kompozitori Rafet Rudi, ka marrë përsëri para në vlerë prej 1100 eurove…(online.zeri.info)