Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, avancim i demokracisë në Maqedoni

E publikuar: 17/01/2018 17:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ligji për përdorimin e gjuhëve ende nuk ka hyrë në fuqi, meqë pret dekretimin nga ana e presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Që nga miratimi i tij të enjten e kaluar, nga kabineti i presidentit të shtetit ende nuk kanë dalë me qëndrim se si do të veprojë kreu i shtetit.

Në bazë të dispozitave ligjore, presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov duhet të përgjigjet më së voni dhjetë ditë nga miratimi i ligjit, kështu që ai ka në dispozicion edhe tre ditë deri në përgjigjen përfundimtare.

Ndërkohë, që në disa paraqitje presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov ka shprehur pakënaqësi nga përmbajtja e ligjit në fjalë, duke e quajtur antikushtetues, por nuk ka saktësuar nëse do ta dekretojë ose jo të njëjtin.

Por, sipas ekspertëve të çështjeve juridike edhe në rast se nuk e dekreton Ligjin për gjuhët, Presidenti i shtetit nuk e dështon atë, pasi ligji rikthehet sërish në Parlament dhe në atë rast ai është i detyruar ta dekretojë.

“Gjashtëdhjetenëntë deputetët të cilët votuan pro Ligjit të gjuhëve do të votojë sërish edhe pas një muaji. Por, në këtë kontekst, presidenti i shtetit duhet të tregohet më fleksibil ndaj kërkesave të shumicës parlamentare, mendoj shumicës që përfaqësojnë qytetarët e Maqedonisë dhe në përputhje më këtë edhe të sillet”, thotë për Radion Evropa e Lirë, njohësi i çështjeve politike, Nikolla Dujovski.

Ndërkohë, një deputet i VMRO- DPMNE-së, Ilija Dimovski ka ngritur në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për gjuhët, duke kërkuar nga ky institucion të dalë me qëndrimin se ligj është antikushtetues, pasi sipas tij, në bazë të Kushtetutës, gjuhë e vetme zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj cirilik.

Por, Mersim Maksuti ligjërues i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tetovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se Ligji i gjuhëve buron nga vetë Kushtetuta, dhe si i tillë, në asnjë mënyrë nuk bie ndesh me Kushtetutën.

“Është vetë Kushtetuta e Maqedonisë ajo e cila e ka zyrtarizuar gjuhën shqipe, në kuptimin e asaj se e njeh si gjuhë zyrtare edhe se e definon si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullatës së Maqedonisë. Tani me Ligjin e gjuhëve vetëm mundësohet zgjerimi apo shtrirja më e gjerë e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, por baza kushtetuese për gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare ekziston”.

“Ata që synojnë të ngrenë iniciativë para Gjykatës Kushtetuese, duhet të kenë parasysh se bëhet fjalë për një ligj që vendos themelet e bashkëjetesës mes dy bashkësive më të mëdha etnike në Maqedoni, dhe institucionalizimi në një përmasa më të gjerë, në asnjë mënyrë nuk e rrezikon shtetin, përkundrazi përforcon karakterin demokratik të tij”, thotë Maksuti.

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës në Maqedoni”, dhe përmes Ligjit për përdorimin e gjuhëve mundësohet një shtrirje më të gjerë të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet e pushtetit vendor dhe atij qendror.

Ligji në fjalë ishte dhe pjesë e marrëveshjes së partive politike shqiptare para formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë. Njëherësh, avancimi i gjuhës shqipe ishte dhe pjesë e premtimeve parazgjedhore e socialdemokratëve të kryeministrit Zoran Zaev, në saj të cilave premtime arritën të sigurojnë një numër të konsiderueshëm të votave edhe nga elektorati shqiptar.