Zyrtari i PDK’së i kërkon deputetes së VV’së të largohet nga jeta publike pas fjalëve kundër UÇK’së

E publikuar: 16/02/2020 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pse nuk diti të dallojë një rren nga fakti, Fatmire Mullhaxhës-Kollqakut mund t’i kushtojë me pozitën që mban nëse zbaton thirrjet e kundërshtarëve politikë.

Kështu, Abelard Tahiri, deputet i PDK’së, po i kërkon Nënkryetares së VV’së të largohet nga jeta publike pas fyerjes që i bëri luftës dhe UÇK’së duke cituar një zyrtar të Milloshevicit.

“Fatmire Mulhaxha Kollçaku, dhe të gjithë ata që e aplauduan atë, duhet të tërhiqen të turpëruar nga jeta publike”, ka kërkuar Tahiri, në një reagim në Fb.

Fatmire Mulhaxha-Kollqaku, një ish-deputete e ORA’s së Veton Surroit dhe më vonë e AAK’së, tash Nënkryetare e VV’së, shpërndau një deklaratë të rreme në Fb. Aty shkruhej se një analist autoritativ i Serbisë kishte thurur lavde Albin Kurtit, i cili s’kishte dosje kriminale nga koha e UÇK’së.

Ndaj kësaj reagoi Presidenti Hashim Thaçi, i cili kërkoi llogari deputetes.

“Nuk kam menduar, e lëre besuar, se do të vijë dita që një deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës të thotë me krekosje se Kryeministri i tashëm i Kosovës në përballje me Serbinë është më i fortë sepse “nuk ka dosje kriminale të UÇK-së. UÇK ëndrrën e popullit të Kosovës e bëri realitet. Fituam lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin. Etiketimet e tilla për UÇK-në, projektin më madhor kombëtar, i kemi dëgjuar vetëm në Beograd dhe në Moskë”, shkroi Shefi i Shtetit.


Deputetja e VV’së fshiu postimin pasi u vërtetua se ishte rren dhe kishte përmbajtje problematike.

Në përkrahje të saj dolën pak zyrtarë të VV’së. Albulena Haxhiu kërkoi nga Presidenti të mos etiketohet deputetja e Parlamentit të Kosovës.

Sidoqoftë, Abelard Tahiri po konsideron se edhe deklarata e deputetes së VV’së është në funksion të Vetëvendosjes për ndarje dhe manipulim të popullit.

“I mori fjalët e Predrag Markoviq, nënkryetar i Ivica Daçiqit, të dy këta pasardhës të Slobodan Milosheviqit dhe e paraqiti atë si njeri kredibil edhe në Kosovë. Nuk u morr me faktin që duhesh të frikësohesh dhe të mendohesh mirë kur të lavdëron armiku”, ka shkruar Tahiri.

Zyrtarët e PDK’së kanë nisur një fushatë kundër Kollqakut duke i publikuar edhe dokumente personale me të cilën thuhet se ajo ka dikë nga familja me prejardhje serbe dhe se familjarët e saj kanë punuar në organet e dhunshme të Serbisë deri në kohën e luftës.