Zyrtarët iranianë konfirmojnë 25 viktima gjatë protestave

E publikuar: 15/01/2018 01:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria iraniane pranoi sot se 25 njerëz u vranë gjatë protestave të fundit anti-qeveritare në qytete në mbarë vendin.

Zëdhënësi i gjyqësorit, Gholamhossein Mohseni Ejehi, tha se asnjë nga viktimat nuk u vra nga forcat e sigurisë, pasi ata ishin urdhëruar të mos përdornin armët. Sipas zotit Ejehi, ndër viktimat janë edhe disa punonjës të forcave të sigurisë. Ai nuk ofroi detaje të mëtejshme rreth rrethanave të këtyre vrasjeve.

Gjithashtu, agjensia gjysëm-zyrtare e lajmeve “Fars”, citoi një prokuror në Teheran të ketë thënë se janë liruar më vonë mbi 400 persona, të cilët ishin ndaluar gjatë demonstratave.

Javën e kaluar, një anëtar reformator i parlamentit, Mahmoud Sadeghi, tha se rreth 3700 persona ishin arrestuar gjatë protestave. Ai pati njoftuar gjithashtu se një burrë vrau veten ndërsa mbahej nën arrest.

Protestat shpërthyen rreth tre javë më parë për shkak të problemeve ekonomike dhe u zgjeruan në mosbindje të gjerë kundër regjimit islamik, me sulme ndaj ndërtesave qeveritare dhe policisë.