Zyrtarët e MKRS-së paralajmërojnë greva dhe bojkot

E publikuar: 10/12/2019 18:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli Organizativ i protestës së stafit të MKRS-së, i kanë dërguar letër Zyrës së Kryeministrit, Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Zyreve të Sekretarëve të Përgjithshëm (Ministrisë së Administratës Publike dhe MKRS-së), ku janë shprehur kundër zhvendosjes së MKRS-së duke paralajmëruar fillimin e grevës së përgjithshme në objekt deri në tërheqjen e vendimit me bojkot .

Madje zyrtarët e MKRS-së, kanë bërë me dije se për të gjitha pasojat e reagimeve dhe grevave, përgjegjës do të mbahen të gjithë ata që po tentojnë të realizojnë këtë operacion të dëmshëm dhe të kundërligjshëm.

Ndër të tjera kanë bërë me dije su nuk do të tërhiqen.

“Edhe me këtë rast i ftojmë që të përmbahen nga veprimet e tilla sepse ne po ju tregojmë edhe njëherë: nuk do të tërhiqemi”.

Kjo është letra:

Të nderuar,

Ka një kohë të gjatë që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po përballet me vështirësi të rënda në funksionimin e saj për shkak të disa kërkesave të pa mbështetura në ligjet dhe aktet administrative në fuqi që kanë të bëjnë me zhvendosjen e stafit të punësuar në këtë ministri nga objekti ku ndodhet aktualisht, në një objekt privat me qera tejet të larta.

Sic mund të jeni të informuar, qoftë përmes shkresave që u kemi dorëzuar më parë, qoftë përmes mjeteve të informimit, ne stafi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes rrugëve dhe mjeteve sindikale, jemi organizuar për ta kundërshtuar këtë proces të pa drejtë që po i bëhet institucionit ku ne punojmë.

Sipas informacioneve që kemi ne deri më tani, ky proces përmbanë një varg shkeljesh të ligjeve dhe akteve normative në fuqi të cilat kanë pasoja për buxhetin e shtetit si dhe për funksionalitetin e ministrisë ku ne punojmë (një ekip nga zyrtarët e MKRS –së po punon në evidentimin e këtyre shkeljeve).

Ne vlerësojmë se projekti i akomodimit të kësaj ndërtese për nevojat e presidencës, është i gabuar dhe i pamundshëm për shkak të kushteve tërësisht të papërshtatshme që ka lokacioni ku gjendet kjo ndërtesë.

Sidoqoftë ky është një vlerësim i yni, ndërsa këtë cështje e vendosë Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me institucionet tjera. Atë që ne e kundërshtojmë fuqishëm, është fakti se e gjithë kjo, nëse do të ndodhte, do të rezultonte me vendosjen e stafit tonë në objekt privat me qera të larta dhe kushte jo dinjitoze per pune.

Ju informojmë të gjithëve se një zhvillim i tillë do të ishte në kundërshtim të hapur me Vendimin Nr. 02/4 të datës 30.01.2008 të Qeverisë së Republikës së Kosovës i cili obligon ministrinë përgjegjëse për administratë publike dhe të gjitha ministritë tjera, të bashkëpunojnë dhe jo vetëm të mos vendosen në objekte private, por edhe ato që në kohën e nxjerrjes së Vendimit, ishin në objekte private, të akomodohen në ndërtesa/objekte publike.

Pra, sic e shihni kjo është një tërësi e veprimeve të kundërligjshme me pasoja direkte për buxhetin e shtetit.

Sic ne jemi në dijeni, qeraja MUJORE e pagesës së objektit privat, do të jetë 45.000,00 euro, përkatësisht 540.000,00 euro në vit. Ju rikujtojmë se një shumë e tillë e buxhetit për 3 vite, do të ishte mëse e mjaftueshme që të ndërtohej tërësisht një objekt i ri në pronë publike për nevojat e institucionit.

Gjithashtu, duam të nënvizojmë faktin se një shumë e tillë e buxhetit vjetor, nuk është në asnjë nga institucionet kombëtare të kulturës. Kjo flet mjafte per ‘arsyeshmerine’ e nje shpenzimi te tille te buxhetit.

Kohët e fundit, ka filluar një lloj presioni i përsëritur që sa më shpejtë që është e mundur, duke shpërfillur edhe ndjeshmërinë e periudhës së mbylljes së vitit fiskal, kushteve atmosferike dhe më e rëndësishmja: duke vepruar në kundërshtim me një varg ligjesh, aktesh nënligjore, dhe aktesh administrative me fuqi detyruese, të zhvendosen zyrtarët e ministrisë dhe të vendosen në objektin privat për të cilin është nënshkruar kontrata e qerasë.

Presioni i cili po bëhet, tek zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit po përcillet përmes zyrtarëve të Ministrisë së Administratës Publike dhe Kabinetit të Ministrit të MKRS –së, këta të fundit tashmë jashtë mandatit të tyre që nga dita e certifikimit të rezultatit zgjedhor më 27 nëntor, kur është bërë e ditur se tashmë ish ministri, është zgjedhur deputet dhe që në bazë të kushtetutës, është në papajtueshmëri të funksionit.

Një përpjekje e tillë e kundërligjshme, është tentuar të bëhet ditën e Shtunë datë 07 Dhjetor 2019, e cila përpjekje është penguar pas njoftimit të policisë nga Këshilli Organizativ i protestave dhe punëtorëve të MKRS –së, pas konstatimit të shkeljeve të rënda procedurale nga ana e zyrtarëve të MAP dhe operatorit ekonimik.

Në ndërkohë, jemi informuar se për shkak të kundërshtimit sindikal të stafit, dhe të gjendur nën nevojën e veprimit të shpejtë për realizimin e qëllimeve të caktuara, me qëllim të instrumentalizimit të policisë dhe institucioneve tjera, është duke u ushtruar presion në Ministrinë e Administratës Publike, përkatësisht Ministrin në detyrë dhe Sekretarin e Përgjithshëm që të nxirret një vendim për bartje të stafit të MKRS –së.

Këshilli Organizativ për të satën herë, ju bën me dije se ky vendim nuk do të pranohet sepse i njëjti përvec pasojave tjera në buxhet, do të ishte në kundërshtim me Vendimin Nr.02/4 të datës 30.01.2008 të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe i njëjti do të kontestohet në rrugë gjyqësore si dhe do të shoqërohej me përshkallëzim e tensionim të reagimit tonë sindikal, cka do të dëmtonte rëndë punën, projektet dhe imazhin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Në rast se kjo gjë ndodhë, Këshilli Organizativ, ju informon për masat/pasojat që do të pasojnë:

Bojkotimi i punës së institucionit;

Fillimi i grevës së përgjithshme në objekt deri në tërheqjen e vendimit;

Padi për konflikt administrativ me masë pezullimin e përkohshëm të Vendimit sepse i njëjti është në kundërshtim me Vendimin e Qeverisë;

Kallëzim Penal ndaj autoritetit nënshkrues të vendimit të kundërligjshëm me pasoja direkte në buxhetin e shtetit si dhe ndaj të gjithë personave që kanë marrë pjesë në shkaktimin e tyre;

Do të thirren në grevë të gjitha organizatat sindikale të 19 institucioneve qendrore dhe rajonale që janë nën vartësinë e MKRS –së nga fusha e kulturës dhe e trashëgimisë kulturore;

Do të thirren në reagim të gjitha organizatat sportive, federatat dhe klubet e interesuara në mbështetje të kundërshtimit të këtyre veprimeve që janë në dëm të MKRS –së;

Për të gjitha pasojat e reagimeve dhe grevave, përgjegjës do të mbahen të gjithë ata që po tentojnë të realizojnë këtë operacion të dëmshëm dhe të kundërligjshëm.

Ne kemi bërë përpjekje që të gjejmë gjuhë të mirëkuptimit për të mos ardhur deri në këtë situatë por kemi hasur në papërgjegjësi dhe arrogancë totale të të gjithë autoriteteve që janë përfshirë në këtë proces.

Edhe me këtë rast i ftojmë që të përmbahen nga veprimet e tilla sepse ne po ju tregojmë edhe njëherë: nuk do të tërhiqemi.