Zyrtarët e Agim Bahtirit punësojnë gratë në Bibliotekë, njëri kunatën (Dokument)

E publikuar: 30/08/2017 17:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Konkursi i hapur për vende pune në bibliotekën e Mitrovicës në qershor, duket se u ka nxjerrë problem zyrtarëve që donin t’i rehatonin familjarët, pasi është dashur ta kalojnë numrin e kërkuar. Ani pse me konkurs theksohej qartë se hapen dy vende në bibliotekë, aty janë pranuar 3 persona, e që dalin të jenë familjarë të zyrtarëve komunal.
Gazeta Metro ka tentuar të kontaktojë me Komunën e Mitrovicës, mirëpo ka qenë e pamundur pasi nuk është hapur telefoni.

Por, në bazë të dokumenteve që Metro ka siguruar, tregohet qartë se është shkelur konkursi duke u pranuar një person më shumë, e më pas të tri punësimet kanë dalur edhe me lidhje të ngushta familjare.

Të punësuara në Bibliotekën e Mitrovicës tashmë do të jenë Arta Gjoshaj Sadiku, Hajrije Muzliukaj dhe Arjeta Hoti.

Arta Gjoshaj Sadiku është gruaja e Bekim Sadikut, i cili është i punësuar në administratën e kësaj komune, dhe i takon partisë së kryetarit Agim Bahtiri.

Hajrije Muzliukaj është gruaja e Hysen Muzliukajt, kandidatit të VV’së për asamble komunale. Por, në këtë rast, gisht nuk ka pasur burri i saj, por kunati Avdi Muzliukaj i cili punon në zyrën e Prokurimit në Komunën e Mitrovicës.

Dhe e treta, punësimi i të cilës edhe ka shkelur konkursin, Arjeta Hoti është gruaja e Lavdim Musës, i cili punon në Zyrën e Personelit, nga e cila zyrë dalin edhe vendimet për rekrutim të punëmarrësve publikë. Ky i fundit i takon PDK’së dhe është familjar i Rrustem Musës së PDK’së.

Metro mëson se lidhja e këtyre njerëzve për punësime ka nisur që nga drejtori i deritanishëm i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fidan Ademi, i cili vjen nga VV’ja, e deri tek anëtarët e komisionit të cilët disa i përkasin PDK’së edhe publikisht. Dyshimet e burimeve të Metro shkojnë deri aty sa thonë që ‘konkursi ka qenë sa për sy e faqe’.

Për këtë konkurs kanë reaguar edhe disa kandidatë të cilët besojnë se u është bërë e padrejtë. Ata thonë se përveç që të punësuarit kanë hyrë falë familjarëve, kjo rritje e numrit të zyrtarëve ngarkon panevojë edhe paranë publike.

Duke dashur të mbesin në kushte anonimiteti, një person që kishte kandiduar për këtë vend pune i ka thënë Metros se ‘njerëzit janë punësuar që më herët’.

‘Ua kanë dhanë testet apo diçka të ngjashme. Por, ne kemi marrë vesh që ato vende janë zënë para se të hapej konkursi’, ka thënë burimi i Metros.

Ndryshe, Agim Bahtiri pas ardhjes në pushtet kishte premtuar se do ta largojë nepotizmin nga Komuna që udhëheq. Mirëpo, në vazhdimësi ai është kritikuar për mbingarkim të administratës dhe punësim të të afërmve të tij dhe të afërmve të bashkëpunëtorëve./gazetametro.net