Zyrtare: Ismet Munishi, trajner i ri i Vëllaznimit

E publikuar: 18/11/2018 16:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Klubi i njohur gjakovar, Vëllaznimi ka emëruar Ismet Munishin si trajner të ri të skuadrës së tyre.

Vëllaznimi ishte pa trajner kohëve të fundit pasi mitrovicasi Gani Sejdiu u largua para dy javësh.

Megjithatë, drejtuesit e klubit kuqezi nuk nxituan për emërimin e ndonjë trajneri të ri deri në gjetjen e njeriut ideal.

Munishi duke nënshkruar kontratën me Vëllaznimin

Kështu, Vëllaznimi sot (e diel) gjatë ditës ka zyrtarizuar trajner të ri Ismet Munishin.

Për Munishin ky është një rikthim te klubi nga Gjakova, ku e drejtoi për shumicën e sezonit të kaluar.

Munishi me kryetarin e klubit, Agim Cana

“Sot në zyrat e klubit të Vëllaznimit, kryetari Agim Cana ka arritur marrëveshje me Trajnerin e mirënjohur z.Ismet Munishin që të jetë kryetrajner i KF Vëllaznimit”.

“Urime Ismet Munishi suksese në vazhdim. Me respekt KF Vëllaznimi”, thuhet në njoftimin e klubit në Facebook.

Për Munishin kjo do të jetë aventura e dytë në Ligën e Parë, pas asaj me Besën këtë fillim sezoni, ku qëndroi vetëm pesë javë në krye të klubit pejan. /Telegrafi/