Zyrtare: Finalja e Copa Libertadores mes Riverit dhe Bocas zhvillohet në Bernabeu

E publikuar: 30/11/2018 04:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Finalja kthyese e Copa Libertadores mes River Plates dhe Boca Juniors do të zhvillohet në Madrid.

CONMEBOL ka vendosur që gara më e madhe për klube në Amerikën Latine të ndërrojë kontinent.

Derbi i Buenos Airesit ishte shtyrë fundjavën e kaluar pas një sulmi mbi autobusin e Boca Juniors nga tifozë ultras të River Plates.

Lojtarët e Bocas pësuan lëndime nga xhamat e thyer dhe po ashtu ishin prekur nga gazi lotsjellës i përdorur nga policët për të shpërndarë turmën.

Ndeshja tani do të zhvillohet të dielën më 9 dhjetor nga ora 20:30 sipas kohës tonë.

CONMEBOL refuzoi kërkesën e Boca Juniors që të shpallet fitues i kësaj gare në formë zyrtare pa u zhvilluar ndeshja.

Kujtojmë se ndeshja e parë e zhvilluar në terrenin e Bocas përfundoi me rezutlat të barabartë 2-2. Riverit i mjafton një barazim pa gola për t’u shpallur kampion për shkak të përparësisë së golave si mysafir.

Madridi është parë si destinacioni i përkryer për këtë ndeshje, pasi edhe u dha leja nga presidenti i Real Madridit, Florentino Perez.

Spanja është vendi ku ka më së shumti argjentinas, kurse Madridi është qyteti i 10-të më i sigurtë në botë, e po ashtu ka më së shumti linja fluturimi drejt Argjentinës. /Telegrafi/