Zyberaj: Pse po heshtë Vjosa Osmani për kërcënimet ndaj Pacollit?

E publikuar: 03/05/2020 20:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jetlir Zyberaj, këshilltar i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj kryetares së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani, e cila sipas tij po hesht ndaj mbrojtjes së deputetit.

Zyberaj ka thënë se Osmani me heshtjen e saj po bëhet ‘një kartë loje e Kurtit në luftën kundër opozitës’.

“Ajo e ka lejuar veten të bëhet pjesë e kësaj loje politike që synon të sulmojë të gjithë ata që mendojnë dhe veprojnë ndryshe nga qeveria aktuale:, shkroi Zyberaj në Facebook.

Shkrimi i tij i plotë në Facebook:

Kur në vitet 1989-1990 u sulmua mandati dhe detyra e një deputeti, sepse ata mendonin ndryshe nga regjimi, Iljaz Ramajli e dinte detyrën e tij dhe mori drejtimin për të mbrojtur deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Adem Mikullovci i cili asokohe ishte deputet, Melihate Termkolli dhe shumë të tjerë mund t’i tregojë Vjosa Osmanit se çfarë kuptimi kishtë të mbrohej mandati i një deputeti.

Sot, në të njëjtin Kuvend pas tre dekadash kemi një qeveri që kërcënon të pengojë një deputet të hyjë në Kuvendin e Kosovës. Ata mendojnë se mund ta bëjnë këtë. Nuk na befason. Por befasia është se si ndodh që Kryetarja e Kuvendit të Kosovës që pretendon të mbrojë ligjin dhe kushtetutën, ka mbajtur heshtje ndaj kërcënimeve të frikshme ndaj një deputeti të zgjedhur nga populli i Kosovës. Ajo e ka lejuar veten të bëhet pjesë e kësaj loje politike që synon të sulmojë të gjithë ata që mendojnë dhe veprojnë ndryshe nga qeveria aktuale.

Ajo nuk po e nderon as Kuvendin, as vendin me heshtjen e saj. Por e ka lejuar veten të bëhet një kartë loje e Kurtit në luftën e tij kundër opozitës.